Aktuale

FSK-ja u ligjëron nxënësve për rrezikun nga minat

Instruktorët e Kompanisë së Deminimit të FSK-së, sot, mbajtën ligjërata për vetëdijesimin e nxënësve nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera, në disa shkolla fillore të komunës së Obiliqit si në shkollën “Dositej Obradoviq”(me nxënës të komunitetit serb), dhe “Ibrahim Rugova”.

Këto ligjërata organizohen nga Departamentit për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak dhe Zyra për Komunitete në kuadër të MFSK-së dhe realizohen nga kompania e Deminimit e FSK-së, përkatësisht nga instruktorët e kësaj kompanie. Gjatë mbajtjes së ligjëratave në shkollat e Obliqit , ishin të pranishëm edhe komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) kolonel Shaip Haziri, drejtori i NALT-it (Ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s) gjeneral brigade Dietmar Mosmann, këshilltarë të NALT-it dhe mysafir të tjerë të NATO-s dhe KFOR-it.

Ata ndër  të tjera  i porositen  nxënësit që të tregohen të kujdesshëm ndaj mjeteve të panjohura,  të cilat mund të paraqesin rrezik për jetën e tyre, si dhe i uruan ata që të rritën në paqe dhe liri, pa mina dhe mjete tjera të pashpërthyera.

Të gjithë nxënësit që morën pjesë në këto ligjërata, qoftë nga komuniteti serb, qoftë nga ai shqiptar u shprehen mjaft  të interesuar për  të mësuar sa më shumë  rreth këtyre mjeteve, gjë që tregojnë edhe pyetjet  e tyre të shumta që ua parashtruan ligjëruesve.

Këto ligjërata po realizohen në bazë të planit për vitin 2017, plan ky i hartuar dhe i koordinuar nga Departamenti i BCU-së në MFSK në bashkëpunim edhe me drejtoritë e arsimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Instruktorët e deminimit të FSK-së, aktivitetin e tyre për vetëdijesimin e nxënësve nga rreziku i mjeteve shpërthyese do ta vazhdojnë nëpër shkollat e Republikës së Kosovës deri më 9 mars, atëherë kur fillon sezoni veror./KosovaPress/