Aktuale

FSSHCRK kërkon zbatimin e Ligjit të pagave për shërbyesit civilë

Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHCRK) kërkon nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të zbatojë Ligjin e pagave të nëpunësve civilë, për të krijuar rregull në paga si dhe të evitojë diferencat e krijuara në uljen e pakënaqësive në sektorin e shërbimit civil.

“Këto ditë, Qeveria e Kosovës, në bazë të Vendimit të Kryeministrit, ngriti pagat për stafin politik dhe disa drejtori në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Kemi pritur ngritje të pagave në shërbimin civil në përgjithësi në bazë të shportës së konsumit individual apo familjare, apo në shkallën e deklaruar dhe të premtuar nga Fushata elektorale e qershorit të vitit 2017, në shkallën 30%. Kjo nuk u realizua dhe për këtë shkak janë krijuar shumë pakënaqësi dhe diferencë tek shërbyesit civilë në paga, ku ka pasur hapësirë për nivelim, ku do të ishte respektuar parimi për punë të njëjtë – pagë të njëjtë”, thuhet në komunikatë.

FSSHCRK-ja po ashtu kërkon anulimin e udhëzimit administrativ nr. 02/2000 lidhur me pagat në shërbimin civil, si të tejkaluar dhe që duhet të tërhiqet nga sistemi i pagave, pasi që ende është duke u zbatuar nga Ministria e Administratës Publike.

FSSHCRK-ja kërkon zbatimin e Ligjit të Pagave nr. 03/L-147 për Nëpunësit Civilë, pasi që ky ligj nga muajit korrik 2010, si dhe Ligji dhe Projektligji i mbetur nga viti 2016 për paga, që së bashku me Katalogun e Vendeve të Punës, të cilët kanë qenë të aprovuar më herët nga Qeveria e Kosovës, ende s’ kanë gjetur zbatim.