Aktuale

Fuqizimi i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues i kontribuon sundimit të ligjit

Është bërë përmbyllja e Projekti të Binjakëzimit, “Fuqizimi i Shërbimeve Korrektues dhe Sprovues në Kosovë” i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Me këtë rast, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha tha se jemi duke përmbyllur një projekt tejet të rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në sundimin e ligjit, komponentë kjo qenësore në procesin aktual euro-integrues të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, Hoxha theksoi se ky projekt i kontribuon rritjes së vetëdijes për humanizmin e ekzekutimit të dënimeve alternative me çka ndikon në reduktimin e krimit, zvogëlimin e recidivizmit dhe rritjen e sigurisë në shoqëri.

Projekti në fjalë do të pasohet nga faza e dytë e Binjakëzimit, ku parashihet të zgjatë 30 muaj, me ç’rast do të përmbyllet strukturimi i përgjithshëm i SHKK-së dhe SHSK-së.

“Misioni im dhe Ministrisë së Drejtësisë lidhet ngushtë me vazhdimin e ngritjes së besimit të qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë, fuqizimin e zbatimit dhe sundimin e ligjit. Luftimi me vendosmëri i krimit dhe korrupsionit, vazhdimisht duke mbrojtur pavarësinë e gjyqësorit, duke shtuar përgjegjësinë dhe llogaridhënien, ne krijojmë bazën e sigurt të së tashmes tonë si partner në fushën e drejtësisë, madje edhe në nivel regjional dhe global por edhe të ardhmes tonë”, tha Hoxha.

Po ashtu,  ajo përmendi edhe reformën gjithëpërfshirëse të drejtësisë, ku në veçanti vuri theks tek rishikimi i Kodit Penal dhe Kodit të procedurës penale, fuqizimin e profesioneve të lira, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, ngritjen e performancës në sektorët e veçantë, ku vlerësoi se japin argumente se ne duam që komponentë e zbatimit të ligjit të jetë ana e fortë e Republikës së Kosovës.

Ministrja Hoxha vlerësoi se drejtësia përbën vlerën themelore të sigurisë dhe besimit të investitorëve, të cilët duan garanca për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, se kanë dhe ofrohet siguri për investime./KosovaPress/