Ekonomi

Fushë Kosova bëhet me fabrikë të prodhimit të paneleve solare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mori sot pjesë në përurimin e fabrikës së paneleve solare në Sllatinë të Fushë Kosovës, një investim i përbashkët kosovaro-gjerman.

Duke përgëzuar investitorët për punën e bërë kryetari Veseli tha se investitorët e tillë, janë shembulli me i mirë se çfarë i duhet sot Kosovës.

“Ne na duhet të investojmë në “Greenfield Projekte”, të cilat kanë perspektivë, jo vetëm në Kosovë, por gjithashtu kanë potencial të jashtëzakonshëm për eksport”, tha Veseli.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për investitorë që investojnë në energjinë e pastër.

Ait ha se të tilla investime kanë efekt të drejtpërdrejt në mbrojtjen e ambientit dhe zvogëlimin e nivelit të gazrave që vjen nga format tradicionale të prodhimit të energjisë.

“Askush më shumë se sa ne në Kosovë nuk e ka ndjerë efektin negativ të ndotjes nga format tradicionale të prodhimit të energjisë”, tha Veseli, për të shtuar se prodhimi i energjisë solare, në krahasim me metodat tradicionale, ku kryesisht investimi është në makineri intensive, në këtë rast kërkon angazhim të shtuar të fuqisë punëtore, pra vende të reja të punës.

Veseli theksoi se Kosova ende ka shumë punë për të bërë në përmbushjen e të gjitha kritereve dhe nevojave të investitorëve.

“Mirëpo ajo çfarë mund t’ju garantoj është se do të keni një avokat tek unë dhe Kuvendi i Kosovës për të gjitha çështjet”, tha Veseli.

“Do të punojmë në një pako ligjesh që stimulojnë iniciativën e lirë ekonomike, dhe përkrahin sipërmarrësit që kanë ide dhe kapital për të investuar në Kosovë”.

Leave a Reply