Rajon & Botë

G20 arrin marrëveshje mbi klimën

Vendet e G20-tës sot arritën një kompromis mbi klimën, për të evituar një thyerje përfundimtare me SHBA-të, pas daljes së amerikanëve nga Marrëveshja e Parisit.

Deklarata përfundimtare e G20-tës shënon nga njëra anë daljen e SHBA-ve nga këto marrëveshje dhe synon të luftojë kundër ngrohjes klimatike, që cilësohet si e patjetërsueshme, raporton AFP.

“Gëzohem shumë që të gjithë krerët e tjerë të shteteve dhe qeverive po i qëndrojnë Marrëveshjes së Parisit”, deklaroi për media kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Nga ana tjetër Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump bëri një lëshim.

Deklarata përfundimtare thotë se “do të punojnë ngushtë me partnerët e tjerë për të lehtësuar aksesin e tyre dhe përdorimin në mënyrë më të pastër dhe efikase të energjive fosile si dhe t’i ndihmojnë për të krijuar energji të rinovueshme dhe burime të reja të energjisë së pastër”.

Kjo pjesë krijon një situatë të pazakontë për G20-tën, që pranon faktin që një prej anëtarëve të saj do të mund të ndjekë një politikë individuale kundër rrymës së anëtarëve të tjerë.