Ekonomi

G20: Të përgatitur për Brexit

Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian (Brexit) nuk do të jetë e pakapërcyeshme, deklaruan sot ministrat e Financave dhe shefat e bankave qendrore të vendeve të G2-ës.

“Anëtarët e G20-ës janë të pozicionuar për t’u përballur në mënyrë aktive me pasojat e mundshme ekonomike dhe financiare që rrodhën nga referendumi britanik, që vendosi largimin e vendit nga Bashkimi Evropian”, thuhet në komunikatën zyrtare të vendeve të G2-ës, pas samitit dyditor në Chengdu, 1 800 kilometra në jugperëndim të Pekinit.

”Rigjallërimi i ekonomisë globale vazhdon, edhe pse mbetet më i ngadalshëm nga sa kërkohet. Megjithatë, përfitimet nga rritja ekonomike kanë nevojë të shpërndahen më mirë brenda dhe ndërmjet vendeve për të nxitur përfshirjen”, theksohet në komunikatë.

Dje, G20-ta tha se politikat globale të taksave duhej të përmirësoheshin për të reflektuar globalizimin dhe për të nxitur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe të balancuar nga pikëpamja sociale.