Aktuale

Gashi: Po rrezikohet shëndeti i aktivistëve të Vetëvendosjes

Qëndrimi i aktivistëve të Vetëvendosjes në arrest shtëpiak për një kohë të gjatë po rrezikon shëndetin e tyre.

Kështu thotë mbrojtësi i Frashër Krasniqit, njërit nga aktivistët e VV-së, avokati Tomë Gashi, raporton “Arbresh.info”.

Ai në një postim në Facebook thotë se sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje padrejtësisht janë nën masën e arrestit shtëpiak që nga 30.08.2016, dhe shëndeti i tyre është jashtëzakonisht shumë i përkeqësuar, për shkak të pasivitetit të tyre fizik, ngase ata nuk mund të dalin nga banesat/shtëpitë e tyre.

“Arresti shtëpiak është masë jashtëzakonisht e rëndë, sa i për ketë ndalimit të aktivitetit fizik në ambient të hapur. Për këtë arsye, në emër të Deputetit të ardhshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Frashër Krasniqi, kam kërkuar që Gjykata ti lejoj atij daljen jashtë banesës së tij për tu marrë me aktivitet fizik për çdo ditë nga 2 orë për ruajtjen e shëndetit të tij”, thotë Gashi.

Sipas tij, kjo e drejtë i garantohet edhe të burgosurve në bazë të Nenit 37 të Ligjit për ekzekutimin e sanksionave penale “Personi i dënuar ka të drejtë që të merret me ushtrime fizike aq sa është e nevojshme për ruajtjen e shëndetit të tij dhe të kalojë së paku dy (2) orë në ditë jashtë lokaleve të mbyllura gjatë kohës së lirë. Nëse moti është i mirë, personi i dënuar mund të merret me ushtrime fizike në ambient të hapur”, ka thënë Gashi./Arbresh.info/