Aktuale

Gashi: Qeverisja e Mustafës joefektive si ajo e Bajram Kosumit

Analisti Astrit Gashi, në Zona B të Klan Kosovës, ka thënë se qeverisja e kryeministrit Isa Mustafa i ngjason me atë të ish kryeministrit Bajram Kosumi, për nga mungesa e rezultateve.

Ai ka deklaruar se kjo është qeverisje pasive, që nuk krijon zhvillim ekonomik, por përkundrazi ka bërë që Kosova të shënojë hapa prapa në këtë sferë, njofton Klan Kosova.

“Sot i patëm dy diskutime me miq, i krahasuam se cila qeveri ishte e ngjashme me atë të Isa Mustafës, dhe na doli që ishte ajo e Bajram Kosumit. Në anën tjetër as ajo qeveri nuk kishte shumë skandale, përveç një me avion. Por kjo qeveri nuk bën asgjë dhe nuk ka skandale kur nuk ka punë”.

“Pra kemi një qeverisje të tillë që është pasive, e cila nuk kryen asnjë punë dhe nuk gjeneron zhvillim ekonomik, gjë e cila ka qenë pritja ime më e madhe. Përveç kësaj kemi edhe rënie të investimeve të huaja. Unë di që të gjithë mund të thonë që më ka penguar ky apo ai, pra opozita, por ky nuk është argument. Nuk është se po kënaqem që qeveria nuk po funksionon, por më vjen keq. Unë personalisht pritje më të mëdha ndaj Isa Mustafës kisha në fushën e ekonomisë, por, a i ka realizuar? Jo.”

Gashi ka thënë se edhe nëse shkohet në zgjedhje, politikanët nuk kanë tendencë që këtë ta bëjnë për hir të vendit.

“Nuk besoj që këto parti, shkojnë në zgjedhje me tendencën që t’i sjellin Kosovës dicka të mirë. Sipas kërkesave që ka Kadri Veseli, atij më shumë i konvenon të shkohet në zgjedhje. Kjo na kthen në një pikë që është një mësim për të ardhmen. Nuk ka më me qenë kryeministër, një kryetar i një partie. Vitet po shkojnë dhe ne s’po shohim lëvizje. Përpjekjes për të ndërruar ministrat, i duhet shumë kohë. Mesa kam kuptuar kryetari i PDK- nuk kërkonte ndërrim të ministrave, por do ndërrim të mendësisë qeverisëse”. /klankosova.tv