Aktuale

Gaxherri: Idetë e Thaçit s’i mbështet as PDK-ja

Presidenti Hashim Thaçi në fillim të këtij viti kishte shkruar një editorial për Forumin Ekonomik Botëror, në të cilin kishte akuzuar Rusinë se po tenton ta rrënojë shtetin e Kosovës. Por pas vetëm dhjetë muajve, pasi ka takuar homologun e tij rus Vladimir Putin në Paris ai ka një qëndrim diametralisht të kundërt, duke thënë se Rusia do ta mbështesë marrëveshjen paqësore, i cili do të arrihet në mes të Kosovës e Serbisë, shkruan “Zëri”.

Ndërsa deputetja Besa Gaxherri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke e komentuar takimin e presidentit Thaçi me atë Putin ka thënë për “Zërin” se shpreson që veprimet e presidentit Thaçi nuk do të ndikojnë që Kosova ta humbë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.

“Dëshiroj të besoj që çdo shtet demokratik, sidomos siç është Gjermania, SHBA-ja e shumë shtete tjera që janë mike të Republikës së Kosovës, nuk varen dhe nuk e shikojnë Kosovën nga një individ. Jam shumë e bindur që ata i përcjellin zhvillimet në Kosovë dhe e shohin që në Kosovë nuk ka mbështetje për presidentin Thaçi”, ka theksuar ajo.

Gaxherri po ashtu ka vlerësuar se as ish-partia e presidentit Thaçi, PDK-ja, nuk e mbështet atë në idetë e tij.

“Asnjë subjekt në Kosovë, duke përfshirë edhe ish-partinë e tij, nuk e mbështet Thaçin në idetë e tij të çmendura. Konsideroj që sidomos shteti gjerman i cili është një shtet mik dhe serioz ka parasysh këtë dhe besoj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës me asnjë kusht nuk guxon dhe nuk duhet të shkelet”, ka theksuar Gaxherri.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke tentuar të zëvendësojë shtetin e Gjermanisë me atë të Rusisë.

Sipas saj, është e papranueshme që presidenti është duke dashur të krijojë marrëdhënie me Rusinë dhe me Serbinë.

“Sot është dashur të mbajmë seancë për skandalet e presidentit Hashim Thaçi, për tendencën për të zëvendësuar Gjermaninë me Rusinë. Është skandal ajo që po bën presidenti. Këtë kemi mundësi ta diskutojmë të premten, sepse është e papranueshme që po tenton të krijojë marrëdhënie të re me Serbinë dhe me Rusinë”, ka thënë ajo.

Teksa ka komentuar takimin Thaçi – Putin Haxhiu ka thënë edhe se presidenti Thaçi po mundohet t’i zëvendësojë aleatët dhe kjo është e papranueshme.

“Ne kemi paralajmëruar në vazhdimësi që presidenti ka qëllim të takohet me Putinin dhe ka kërkesë të vazhdueshme të Thaçit t’i zëvendësojë aleatët. Ai po mundohet të krijojë marrëdhënie të reja me Serbinë dhe me Rusinë e kjo është e papranueshme”, ka thënë ajo. /ZERI