Aktuale

Gecaj: Me Listën Srpska ende jemi duke diskutuar për demarkacionin

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Bajram Gecaj thotë se me Listën Srpska zhvillojnë takime të rregullta. Madje thekson se në takimet e tyre, ata ende janë duke diskutuar më Listën Srpska për çështjen e Demarkacionit.

Ndonëse këta të fundit në deklarimet e tyre thonë se Qeveria, më konkretisht kryeministri Mustafa asnjëherë nuk u ka bërë atyre ftesë që të bisedojnë për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, ndryshe thonë zyrtarë të Qeverisë.

Këshilltari politik i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj tha të martën për Express se Listën Srpska përveç se takohen çdo ditë, ai tha se me të njëjtët bisedojnë për të gjitha çështjet, përfshirë edhe Demarkacionin.

“Me Listen Serbe takohemi rregullisht dhe bisedojmë për te gjitha çështjet, duke përfshirë edhe kohën kur e kishin ngrire aktivitetin e tyre”, u shpreh Gecaj.

Megjithatë, se a e kanë ose jo përkrahjen e këtij subjekti politik serb për Demarkacionin, Gecaj tha se edhe për këtë janë ende në diskutime, por që bëri të ditur se ky subjekt është deklaruar pro votimit të Demarkacionit.

“Jemi ende duke e diskutuar këtë, por ju e keni dëgjuar edhe deklarimin publik të Slavko Simiq se do ta përkrahin demarkacionin”, tha Gecaj.

Pavarësisht se procedimi i Demarkacionit është paralajmëruar të ndodh gati secilën javë që kalonte, Gecaj ka thënë se ka indikacione pozitive që Demarkacioni mund të dërgohet për votim gjatë kësaj jave në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës deklaroi të shtunën se Demarkacioni nxirret për votim vetëm atëherë kur janë të sigurtë se i kanë votat për ta kaluar./GazetaExpress/

the authorE B