Aktuale

Gjakova tregon interesim të madh në votimet për kryetarin e ri të AKR-së

Sot nëpër të gjitha degët e Aleancës Kosova e Re, është duke u votuar për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm të kësaj partie.

Drejtuesi i këtij subjekti politik në komunën e Gjakovës, Luan Shllaku, tha se edhe pse ata krijuan votimin elektronik, numri i atyre që erdhën të votojnë direkt në zyrat e tyre sot ishte i madh.

Përndryshe, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, sot nëpër të gjitha degët e partisë Aleanca Kosova e Re, janë duke u mbajtur zgjedhjet për përzgjedhjen e presidentit të ardhshëm të këtij subjekti politik. Një vendim i tillë kishte ardhur kohë më parë, pas miratimit që ishte dhënë nga të gjitha degët dhe struktura drejtuese, me qëllim që të bëhet riorganizimi dhe riformatimi i partisë. E një proces i tillë zgjedhor sot u mbajt në mënyrë shembullore edhe në qendrën e AKR-së në komunën e Gjakovës, thotë vetë i pari i partisë në Gjakovë, Luan Shllaku.

 

‘’Deri më tash është shumë në rregull nuk ka pasur asnjë incident dhe vendvotimi është hapur në ora shtatë mëngjes do të rrinë i hapur deri në ora nëntëmbëdhjetë në mbrëmje dhe nuk kemi pasur asnjë incident është votuar qe dy ditë ka filluar online sot edhe fizikisht vërehet është një interesim shumë i madh, ka një vullnet të simpatizuesve të AKR-së vijnë, çdo moment është zyra plot dhe është një vullnet i hatashëm’’, tha Shllaku.

Për të përfshirë në këto zgjedhje edhe diasporën kosovare, kjo parti ka menduar edhe votimin elektronik, i cili proces ka shkuar shumë në rregull dhe secili përdorues interneti mund të japi votën e tij/saj pas verifikimit online.

Ndërsa në zyrën e AKR-së në Gjakovë ishte edhe Komisioni Zgjedhor, i cili u themelua për të menaxhuar këto zgjedhje. Korab Zajmi, kryetar i Komisionit Zgjedhor në Gjakovë, tha se procesi është duke shkuar shumë mirë dhe interesimi i qytetarëve ka qenë i madh.

 

’Zyrat janë hap në ora shtatë, është duke shkuar shumë mirë, interesimi është shumë i madh i votuesve… Numri numri i votuesve dukshëm është në rritje për zgjedhjen e presidentit’, tha Zajmi.

Të drejtë vote në përzgjedhjen e presidentit të ri të AKR-së kanë të gjithë anëtarët e kësaj partie, ndërkohë vendvotimet do të jenë të hapura deri sonte në orën 19:00. /KosovaPress/