Rajon & Botë

Gjendje alarmante në Brazil, shënohet rekord me mbi 33,000 raste me Covid-19 për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, Brazili i ka regjistruar 33,274 raste të reja të koronavirusit. Kjo është shifra më e lartë ditore deri më tani në shtetin më të madh të Amerikës Jugore.

Pas rasteve të reja, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Brazil shkoi në 498,440, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express. Kjo është shifra e dytë më e lartë në botë pas Shteteve të Bashkuara.

Përpos numrit të madh të infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 956 viktima të reja dhe shifra e përgjithshme e të vdekurve shkoi në 28,834. Me këtë numër, Brazili ia zë vendin e katër në botë Francës në listën e vendeve me më së shumti të vdekur nga sëmundja e re.

Sao paulo dhe Rio de Janerio mbeten rajonet më të prekura, por numri më i lartë i të infektuarve për një mijë banorë është regjistruar në pjesët veriore dhe verilindore të vendit, ku popullsia është më e varfër dhe kapacitetet e organeve shëndetësore janë buzë kufirit.

Ministria e Shëndetësisë e këtij shteti ka thënë se nuk ekziston ndonjë mënyrë për ta parashikuar kulmin e pandemisë, ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar se numri i vërtetë i rasteve mund të jetë 15 herë më i lartë për shkak se nuk ka pasur testim masiv të popullsisë.

Virusi ka shkaktuar edhe përçarje politike në Brazil për shkak se presidenti Jair Bolsonaro po i kundërshton masat kufizuese, ndërsa kryetarët e qyteteve dhe guvernatorët e rajoneve po i zbatojnë ato.

the authorGazetaKNN