Aktuale

Gjendje alarmante në Vushtrri nga qentë endacakë

Ka kohë që Komuna e Vushtrrisë nuk është duke trajtuar qentë endacakë. Shpalljet e disahershme të tenderëve për trajtimin e tyre dështuan.

E pasi asnjë kompani nuk shfaqi interesim për këtë tender të komunës, gjendja ka arritur në pikën që konsiderohet alarmante, raporton KTV.

Mos-kastrimi i tyre bëri që numri të shtohet nëpër rrugët e qytetit, krahas kësaj edhe sëmundjet.

Megjithatë, zyrtarët e komunës thonë se këtë çështje e ngritën disa herë në nivelin qendror, por nuk pati përgjigje.

Njëri nga sheshet kryesore të këtij qyteti konsiderohet si vendqëndrimi kryesor i tyre.

Rreziku më i madh u kanoset fëmijëve.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e di situatën e krijuar, por thotë se ligji dhe udhëzimet administrative në fuqi duhet të respektohen.

Nol Kabashi, shef i kujdesit ndaj kafshëve në AUV, thotë se edhe komunat tjera e kanë problemin e njëjtë me Vushtrrinë.

Ndryshe, një raport i Organizatës Botërore për shëndetin e kafshëve vitin e kaluar bëri të ditur se në Kosovë janë rreth 9 mijë qenë endacakë.