Aktuale

Gjetën 15 qese drogë, dorëzuan vetëm dy në stacion, arrestohen dy policë në Prishtinë

Dy policët e Stacionit Qendra në Prishtinë, të cilët u arrestuan mbrëmë në orët e vona, Arbnor Gashi dhe Bekim Klinaku, po dyshohen për shmangie të marihuanës së sekuestruar.

Ata, pasi kanë ndaluar një person, i cili posedonte rreth 15 qese të vogla me narkotikë (marihuanë), i kanë dorëzuar në stacion policor vetëm dy qese me narkotikë.

Rasti, sipas burimeve të “Kohës Ditore” brenda organeve të rendit, ka ndodhur të enjten.

Hetimet janë kryer nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe pas konstatimit, së bashku me prokurorinë kanë dhënë urdhër për arrestimin e tyre. Ndërkaq, Policia e Kosovës para arrestimit i ka suspenduar nga detyra.

Arbnor Gashi, po sipas burimeve, është polic-praktikant me 1 vit e gjysmë përvojë, kurse polici tjetër Bekim Klinaku, me 16 vjet përvojë në polici.

Në bazë të hetimeve që janë kryer deri më tani, të dy po dyshohen për fshehje të dëshmive.