Sport

Gomez paralajmëron rivalët: Tani jemi edhe më të mirë

Joe Gomez i ka paralajmëruar rivalët e Premierligës se lidhja mes skuadrës së Liverpoolit vetëm sa është përmirësuar gjatë pauzës së detyruar nga koronavirusi dhe se tani skuadra vetëm sa është bërë më e fortë.

Liverpooli u kthye në seanca stërvitore gjatë javës së kaluar, kur qeveria britanike ua dha klubeve të futbollit dritën e gjelbër për t’i rinisur seancat stërvitore në grupe të vogla, transmeton Gazeta Express.

Skuadrës së Jurgen Kloppit i duhen vetëm edhe dy fitore për t’u shpallur kampion të Anglisë për herë të parë në 30 vjet, pasi që, para ndërprerjes në mars, Liverpooli kishte krijuar epërsi prej 25 pikësh.

Liverpooli ka qenë forca dominuese në futbollin anglez përgjatë këtij sezoni, duke e pësuar vetëm një disfatë në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri më tani në këtë sezon të Premierligës, mirëpo Gomez ka paralajmëruar se ata vetëm çka janë bërë më të fortë gjatë vetëizolimit.

“Po, mendoj se janë edhe më të lidhur me njëri-tjetrin sepse jemi detyruar të komunikojmë në një mënyrë tjetër. Nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë këtë në atë formën standarde, por e kemi kaluar këtë moment të vështirë së bashku”, ka thënë Gomez.

“Kemi përfituar në këtë aspekt pasi që kemi qenë shumë të lidhur si skuadër dhe e kemi mbajtur komunikimin gjatë gjithë kohës. Mendoj se pasi që e kemi pasur këtë kohë larg njëri-tjetrit, tani e ndiejmë edhe më të veçantë kur bëhemi së bashku sërish”.

the authorGazetaKNN