Aktuale

Grubi: Integrimi në BE dhe NATO, prioritet i Maqedonisë

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Artan Grubi tha sot se partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës duhet të përfshihen në procesin e zgjidhjes së kontestit për emrin e shtetit me Greqinë.

Ai këto komente i bëri sot gjatë një takimi në Kuvendin e Maqedonisë me ambasadorin e Greqisë në Shkup, Dimitris Janakakis, me të cilin biseduan për zhvillimet politike në vend dhe rajon, negociatat Shkup -Athinë rreth kontestit për emrin, fqinjësinë e mirë, planin reformues, si dhe integrimin euroatlantik.

Grubi tha se procesi i ndërtimit të masave të mirëbesimit midis Shkupit dhe Athinës duhet të ri-intensifikohet dhe të vijojë bashkë me negociatat direkte midis dy vendeve për zgjidhjen e çështjes së hapur.

“Integrimi në NATO dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian janë prioritete tona absolute”, tha ai.

Në takim u bisedua edhe për skenën politike në vend, barazinë gjuhësore, reformat sistemore dhe bashkëpunimin ekonomik.