Aktuale

Grupet punuese finalizojnë marrëveshjen për sigurime sociale Kosovë-Zvicër

Nga data 24-27 prill në Prishtinë u mbajt raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Gjatë këtyre ditëve palët arritën të finalizojnë marrëveshjen bazë për sigurimet sociale, marrëveshjen administrative për implementimin e marrëveshjes bazë, si dhe formularët e nevojshëm për implementimin e kësaj marrëveshje, thuhet në njoftimin e MPM-së.

Ministria bën të ditur se palët negociatore janë pajtuar që marrëveshjet e arritura të përafrohen nga kryesuesit e grupeve të punës në fund të muajit maj në Bernë të Zvicrës.

Koha prej një muaji do të nevojitet që marrëveshja bazë, marrëveshja administrative, si dhe formularët e dakorduar të përkthehen në gjuhët përkatëse, të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme brenda shteteve përkatëse në mënyrë që të përafrohen në fund të muajit maj.

Pas kësaj do të kërkohet nga qeveritë e të dyja shteteve autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjes nga ministrat përkatës të të dy vendeve gjatë pjesës së dytë të vitit 2017 dhe pastaj të kalojë nëpër procedurat e brendshme të të dy vendeve për ratifikim.

the authorSamir Dalipi