Aktuale

Grupin serb që planifikoi sulme në Malin e Zi i denoncoi një i brendshëm

Shtypi i Podgoricës shkruan sot se grupin që drejtohej nga ish-komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratisllav Dikiqi, i cili u arrestua në vigjilje të zgjedhjeve në Mal të Zi, nën akuzën për terrorizëm, e denoncoi një nga anëtarët e tij, Mirko Velimiroviq (45) nga Zubin Potoku.

Siç theksojnë gazetat e Podgoricës, Vijesti dhe Pobjeda, kështu shkruan në urdhrin për zbatimin e hetimeve të prokurorit special Sasha Çagjenoviqit, i cili përveç Dikiqit, për përpjekje terrorizmi ka vënë në dyshim Kristina Hristiqin dhe Aleksandar Singjeliqin, të cilëve është vënë në ndjekje policia, ndërsa të tjerët ngarkohen për bashkim në veprimtari kriminale,transmeton koha.net.

Në këtë dokument të prokurorisë është zbuluar se në ç’mënyrë shërbimet malaziase të informimit “kanë penguar që Mali i Zi të vishet me të zeza”, shkruan Vjesti.
“Velimiroviq ka kontribuar për zbulimin e organizatës kriminale”, shkruan në urdhrin e Çagjenoviqit, shkruan sot shtypi i Podgoricës.

Në grupin terrorist ai ishte i ngarkuar të sigurojë armët, municionin, uniformat, të bart mesazhet, të sigurojë hapësirat ku do të qëndrojnë anëtarët e grupit si dhe ku do të strehohen armët.

Velimiroviq denoncoi planin, sipas shtypit, kur nga Singjeliqi mori 15 mijë euro me të cilat duhej të blente 50 pushkë automatike dhe tre sëndukë municion “që do t’i vendoste në një shtëpi që do ta merrte me qira në Podgoricë”.

Pasi kishte pranuar në hollësi planin për sulme, angazhimet e veta si dhe kishte marrë vesh ato të të tjerëve, qëllimet e grupit i kishte denoncuar në polici, transmeton Koha.net raportimin e medieve të Malit të Zi.

“Erdhi në Drejtorinë e Policisë dhe denoncoi planin e veprimit të organizatës kriminale dhe anëtarët e tij dhe në këtë mënyrë zbuloi organizatën kriminale… Ai ua tregoi zyrtarëve policorë udhëzimet e marra nga organizatorët e organizatës kriminale dhe identifikoi anëtarët e tjerë që kishin ardhur në Mal të Zi, përshkroi planin e veprimit të tyre, lokacionin ku ndodheshin…”, shkruan në urdhër.

Oficeri i xhandarmërisë Dikiq e ka akuzuar Velimiroviqin si bashkëpunëtor të policisë që ia bëri kurthin për arrestim në Podgoricë, kur para Qendrës Tregtare Delta ia dhuroi telefonin mobil dhe ia la çelësat në automobil.

Në urdhëresën e prokurorisë, që e transmeton shtypi i sotshëm thuhet se Velimiroviqi ia dorëzoi Dikiqit para Qendrës Tregtare telefonin “Lenovo” që me program të posaçëm është i mbrojtur nga përgjimet e mundshme si dhe çelësat e shtëpisë ku ndodheshin armët.

Prokurori special Milivoje Katniq ka thënë se “është penguar futja e armëve në Mal të Zi”

Ka sqaruar se në mes të Serbisë e Shqipërisë janë shkatërruar armët që terroristët kanë dashur t’i përdorin në Mal të Zi, rikujtojnë gazetat e Podgoricës.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dje foli në Beograd se në territorin e Serbisë ishin përgatitur aktivitete jolegale ndaj Malit të Zi dhe se në Serbi janë njerëz të besuar ata që kanë përcjellë kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviqin.

“Kemi fakte të fuqishme materiale, madje edhe para, 125 mijë euro i kemi sekuestruar, uniforma dhe gjëra të tjera të ndryshme, këto ndodhen në duart e organeve shtetërore të Serbisë. Ai që mendon se Serbia do të marrë pjesë në çfarëdo mënyre në çfarëdo krimi, ai do të mashtrohet keqas”, është shprehur dje Vuçiq.