Aktuale

Hahn: BE do të bëjë gjithçka për të ndihmuar Maqedoninë

Eurokomisari për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, pas ceremonisë së donacionit të automjeteve të Bashkimit Evropian (BE) për ballafaqimin me krizën, deklaroi se “ka besim dhe është optimist për një të ardhme të mirë të vendit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Hahn tha se udhëheqësit e subjekteve politike duhet të demonstrojnë pjekurinë demokratike dhe të punojnë me një program të bazuar në Marrëveshjen e Përzhinos, si dhe të angazhohen në perspektivën evropiane.

“Me sa duket kjo situatë do të marrë edhe pak kohë. Ata duhet të negociojnë dhe të marrin vendime në interes të vendit, qytetarëve dhe perspektivave evropiane. Ata duhet të fokusohen të punojnë për të ardhmen e vendit dhe për integrimin e tij evropian. Bashkimi Evropian do të bëjë gjithçka për të ndihmuar vendin dhe lidershipin e këtij vendin”, deklaroi eurokomisari Hahn.

Mëngjesin e sotëm, Hahn takoi presidentin e vendit, Gjorgje Ivanov, ndërsa pasditen e djeshme realizoi takime të ndara me udhëheqësit e gjashtë subjekteve politike në Maqedoni të cilat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor të vitit të kaluar fituan vende deputetësh në Kuvend. Këto takimi ishin në përpjekje për të parë mundësitë për formimin e Qeverisë së re.