Ekonomi

Hamza: Kosova kontribuuese dhe përfituese e misionit të BERZH-it

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim zëvendëspresidentin e BERZH-it Pierre Heilbronn, ku diskutuan për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Me këtë rast, Hamza duke i uruar mirëseardhje në Kosovë zëvendëspresidentit të BERZH-it Pierre Heilbronn, u shpreh:

“Ne jemi anëtarësuar në BERZH gjatë mandatit tim të parë, falë përpjekjes së koordinuar me të gjithë miqtë, që të jemi përfitues dhe kontribuues në misionin që ka BERZH-i për të zhvilluar vendet e ekonomive në tranzicion sipas orientimeve perëndimore”.

Ai e falënderoi atë për mbështetjen që BERZH-i ka ofruar deri më tani Qeverisë së Kosovës në realizimin e projekteve më rëndësi të veçantë siç është projekti për Linjën 10 Hekurudhore dhe ai për Trafikun Urban.

Hamza e njoftoi Heilbronn për gjendjen Makro-fiskale dhe theksoi se ne kemi ndërtuar një bazë të shëndoshë të bashkëpunimit ndërinstitucional, e cila bazohet në Strategjinë e Bankës për Kosovë dhe në Memorandumin e bashkëpunimit.

Hamza gjatë takimit tha se storie shumë të mira të suksesit kanë qenë dy linjat kreditore për FSDK-në, ku tha se është i përkushtuar që të kemi progres të ngjashëm edhe në marrëveshjet që kemi për projektet tjera në sektorin publik, zhvillimin e sektorit privat, financim për Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe kategoritë që kanë më së paku qasje në financim, respektivisht të rinjtë dhe gratë.

Ai gjithashtu tha se me Fondin për Garantimin e Kredive synojmë që të kemi financim të shtuar në formë të linjës kreditore apo ekutietit varësisht se për cilën formë të mbështetjes dakordohemi e që jep kontribut më të madh dhe prodhon efekt në ekonomi dhe në zhvillim të Fondit./KosovaPress/