Aktuale

Hapet ekspozita “Trashëgimia përmes imazheve”

Ndonëse relativisht e re, Filatelia e Kosovës ka një fond të begatshëm të pullave postare, të cilat përçojnë mesazhin për kulturën dhe trashëgiminë e vendit tonë në botë, u tha të martën me rastin e hapjes së ekspozitës “Trashëgimia përmes imazheve” nga studentët e Departamentit Etnologji dhe Antropologji kulturore.

Hapjen e kësaj ekspozitë e bëri dekani i Fakultetit Filologjik, Bujar Dugolli, i cili tha se secila fotografi e paraqitur në këtë ekspozitë ka një histori në vete.

“Thënia që një pamje, foto vlen sa 1 mijë fjalë i atribuohet me të drejtë edhe kësaj ekspozite. Secila pamje, secila fotografi ka në vete një histori të madhe të kulturës dhe traditës shqiptare. Fakulteti Filozofik do të inkurajojë studentët që përveç teorisë që e mësojnë në amfiteatrin e fakultetit, edhe praktikën ta lidhin që në këtë mënyrë të kenë mundësi t’iu tregojnë edhe të tjerëve se sa e lavdishme, sa e dobishme është njohja e trashëgimisë dhe kulturës sonë shqiptare, por edhe të kulturës së Kosovës në përgjithësi”, tha Dugolli.

I pranishëm në këtë ekspozitë ishte edhe drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, i cili tha se me anë të këtyre ekspozitave muzeu po shndërrohet në një laborator të historisë së vendit për të rinjtë.

“Ne u jemi mirënjohës që na e keni krijuar një mjedis aq sa të bukur të bukur për vizitorin por për muzeun e Kosovës domethënës, sepse për Muzeun e Kosovës po e dëshmon se çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një laborator të historisë për fëmijët dhe të rinjtë e vendit. Kjo ekspozitë sot dhe po shpresoj edhe aktivitetet në vijim do ta ndihmojnë edhe degën tuaj që të afrohet sa më shumë me punën praktike, me terrenin, me publikun, por në anët tjetër do ta ndihmojë edhe Muzeun e Kosovës që pranë vetes ta ketë pjesë më të rëndësishme të vendit e që janë gjenerata e re”, ka thënë Boshtrakaj.

Një mbështetje e madhe për ekspozitën “Trashëgimia përmes  imazheve” është dhënë edhe nga Posta e Kosovës. Fakete Kadiu nga Posta e Kosovës tha se përmes kësaj ekspozite janë bartur imazhe të trashëgimisë sonë.

“Edhe pse relativisht e re Filatelia e Kosovës ka një fond mjaft të begatshëm të pullave postare, të cilat përçojnë mesazhin për kulturën, trashëgiminë tonë të përgjithshme në botë. Kemi një numër të madh koleksionarësh gjithandej botës, të cilët përmes pullës postare njohin edhe kulturën dhe trashëgiminë e Kosovës”, tha Kadiu.

Studentja Anila Asllani ka punuar në fotografitë e paraqitura nga kulti i diellit dhe gjarprit. Ajo tha se qëllimi i këtyre punimeve ka qenë që të informohet audienca se kjo nuk ka të bëjë me yllin e masonit.

“Sado pak kam dashur me qartësuar këtë imazhin e yllit të masonit dhe kultit të diellit se kulti i diellit na përfaqëson të gjithëve neve shqiptarëve. Gjithashtu, kulti i gjarprit është një kult që daton shumë herët në pjesë veriore të Shqipërisë dhe supozohet që ka mbetur edhe emri ilir nga gjarpri ilirianka”, tha Asllani.

Ndryshe, gjatë kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë e hapur për tri ditë, janë prezantuar pullat postare të Kosovës, të cilat titullohen “Paqja”, “Shtetësia”, “Dita e Pavarësisë”, “5 vjetori i pavarësisë së Kosovës”. /KP