Aktuale

Haradinaj: Hashim Thaçi është fajtor që ende nuk kemi ushtri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se fajtor për mos formimin Ushtrisë është Presidenti Hashim Thaçi. Ai po ashtu ka shprehur bindjen se shumë shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje.

Në një intervistë për RTK, Haradinaj tha se Kosova tashmë ka një ndërprerje institucionale, prandaj zgjedhjet janë zgjidhje për të dalë nga kjo gjendje. Sipas tij, Kosova ka arsye për të shkuar në zgjedhje, pasi është prishur ekuilibri i brendshëm i vendit, transmeton Kosova Press.

Haradinaj nuk ka treguar për kohën se kur shteti mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por ka thënë se zgjedhjet nuk janë larg.

“Kjo gjendje po i kushton edhe vendit. Kosova duhet të shkojë në zgjedhje. Këtë gjë duhet ta kuptojë edhe mazhoranca. Nuk kemi nevojë të presim më shumë”, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së, fajtor kryesor për mos formimin e Ushtrisë së Kosovës e sheh Presidentin Hashim Thaçi, ku sipas tij është dashur që të shfrytëzohet vota e serbëve, kur është formuar Gjykata Supreme, që të votohet formimi i Ushtrisë, pasi kanë pas diskonim të votojnë. Por, siç thotë Haradinaj, Thaçi votat e serbëve i ka shfrytëzuar për formimin e koalicionit qeverisës.

Haradinaj ka folur edhe për koalicionin që ka me Nisma-n dhe për takimet e vazhdueshme që ka me liderin e AKR-së, Behgjet Pacolli, ndërsa thotë se gradualisht po formohet blloku opozitar që do të jetë fitues i zgjedhjeve.

Haradinaj thotë se me PDK-në dhe LDK-në nuk ka biseduar për mundësinë e krijimet të koalicioneve./KosovaPress/