Aktuale

Haradinaj jep urdhër: Të mos keqpërdoret pasuria e Qeverisë për fushatë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë sot urdhër që personave që mbajnë poste publike, të zgjedhur apo të emëruar, t’ju ndalohet përdorimi i pasurisë së Qeverisë, automjetet zyrtare por edhe burime tjera të pasurisë së Qeverisë, gjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin tetor të vitit 2017.

Për çdo keqpërdorim të pasurisë zyrtare përgjatë fushatës zgjedhore në zgjedhjet lokale do të ndërmerren masat përkatëse konform legjislacionit në fuqi, thuhet në një komunikatë.

Urdhri është marrë nga kryeministri Haradinaj, në mbështetje të nenit 92, nenit 94 paragrafi 10 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 (nën paragrafi 4.I) të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive (Gazeta Zyrtare nr. 1,18 prill 2011), duke marrë parasysh vendim e Presidentit të Republikës së Kosovës nr. 21/2017 të datës 21 qershor 2017, për caktimin dhe shpalljen e zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës.