Aktuale

Haradinaj ka imunitet, nuk mund të arrestohet nga Serbia

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Sefanoviq ka “kërcënuar” kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn se mund të arrestohet sipas fletë arresteve nëse shkel në territorin e Serbisë.

Kësaj deklarate i është kundërpërgjigjur avokati, Arianit Koci, duke thënë se qeveria serbe që po deklarohet se mund ta arrestoj kryeministrin Haradinaj, është po ajo e njëjta që po garanton për Ratko Mlladiqin, i cili po akuzohet për krime lufte, nga ana e Tribunalit të Hagës.

Mirëpo, Koci thotë se Haradinajn tani e mbron imuniteti i zyrtarit shtetëror.

“Lufta speciale e Serbisë kundër zotit Haradinaj po vazhdon. Natyrisht, unë nuk kam pritur se do të ndërpritet. Serbisë po i pengon dinamika e punës e Haradinajt, po i pengon profili i një politikani modern që është i hapur ndaj të gjithëve. Mbi të gjitha, nuk mund të harrojmë kurrë se ky është personi i cili ka luftuar për lirinë e të gjithë neve – ka luftuar për paqe në Kosovë. Pafajësia e Haradinajt është vërtetuar në Tribunalin e Hagës e madje edhe Gjykata në Colmar ka vlerësuar se nuk ka prova të reja me të cilat mund të hapet një gjykim i ri ndaj tij në Francë. Po mendoni se Franca, si mike tradicionale e Serbisë, do ta kishte lëshuar rastin që ta gjykojë, po të kishte prova?! Përndryshe, kjo është më pak e rëndësishme, por tani, Haradinaj e mbron edhe imuniteti i zyrtarit shtetëror”, ka thënë Koci për Indeksonline.

Ai ka shtuar se deklarata të tilla nga ana e zyrtarëve serb janë vetëm sa për konsum të brendshëm në Serbi.

“Theksoj se kjo çështje është temë për konsum të brendshëm në Serbi, dhe ne fare nuk duhet të humbim kohë me këtë. Haradinaj po dëshmon se si kryeministër i Kosovës po punon për një Kosovë demokratike dhe në të mirën e qytetarëve të saj, pa dallim feje dhe etnie”, ka shtuar në fund avokati Koci.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani për Indeksonline ka thënë se deklarata të tilla nga ana e politikanëve nuk ndihmojnë në tejkalimin e gjendjes ndërmjet dy shteteve, duke shtuar se Serbia e ka të qartë tashmë se nuk mund të arrestojë kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Serbia duhet të merret me veten, Kosova ka kryeministrin e vet. Nuk është e panjohur mendësia e kaluar e Serbisë në raport me Ramush Haradinajn dhe me asnjë shqiptar të Kosovës. Por, kjo gjithsesi që duhet të ndryshohet, sepse me mendësinë e shekullit të kaluar nuk arrihet fqinjësia e mirë. Edhe Serbia e ka të qartë se nuk mund ta arrestojë Haradinajn, sikurse e ka të qartë krejt bota. Formulimet e tilla nuk ndihmojnë tejkalimin e gjendjes midis dy shteteve dhe nuk paraqesin hap pozitiv për Serbinë. Kosova, në anën tjetër, duhet të fokusohet plotësisht në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit, institucioneve demokratike dhe jetës më të mirë të qytetarëve. Funksionalizimi dhe demokratizimi i shtetit dhe shoqërisë në Kosovë është synim, i cili nuk mund të bllokohet nga deklarata të këtilla në Beograd”, ka deklaruar Burim Ramadani.

Sot gjatë ditës, ministri serb i Punëve të Brendshme Nebojsha Stefanoviq duke u përgjigjur në pyetjen se a do të arrestohet Ramush Haradinaj nëse shkon në Nish, ka thënë se Policia vepron në bazë të urdhrave të prokurorisë.

“MPB vepron sipas urdhrit të Prokurorisë në rastet kur të akuzuarit gjenden në fletë arreste. Polica do të veprojë ashtu”, ka thënë Stefanoviq.

Ndryshe, është paralajmëruar një takim mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj mund të mbahet në Nish brenda dy ose tre muajve.

Kujtojmë që Ramush Haradinaj ka dalë i pafajshëm nga Gjykata e Colmarit që ishte arrestuar në bazë të fletarresteve të lëshuara nga Serbia me akuza për krime lufte./Indeksonline/