Aktuale

Haradinaj kërkon status të veçantë për deputetët e 2 Korrikut

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka lëshuar një deklaratë për medie në lidhje me Deklaratën e 2 Korrikut të vitit 1990. Ndër të tjera ai kërkon që 111 deputetët e asaj kohe të gëzojnë statusin e deputetit dhe privilegjet me këtë statut.

“Të gjithë ata, pa përjashtim, duhet ta gëzojnë statusin e deputetit dhe të gjitha privilegjet që shkojnë me këtë status. Shteti dhe shoqëria e Kosovës, duke e njohur statusin e tyre, e njohin historinë e vet dhe rolin që pati ky brez i deputetëve në rrugëtimin e vështirë e të gjatë të Kosovës për pavarësi. Ky është obligim yni”, ka kërkuar Haradinaj.

Ai ka thënë se 2 Korriku është një prej ngjarjet më domethënëse në rrugëtimin e Kosovës.
“Deklarata e 2 Korrikut të vitit 1990, është njëra prej ngjarjeve më domethënëse në rrugëtimin e Kosovës, drejt pavarësimit të saj. 111 deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan një deklaratë, me të cilën e shpallnin Kosovën, njësi të barabartë në federatën apo konfederatën jugosllave, dhe ky ishte hapi i parë institucional drejt pavarësimit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se kjo datë renditet lartë në kalendarin e datave historike, dhe e meriton gjithë respektin e por edhe vendin që i takon në historinë më të re të shtetit të ri të Kosovës.

111 deputetët shqiptarë, dhe të tjerë nga radhët e pakicave jo-serbe, sipas Haradianjt, me aktin e tyre treguan pjekuri dhe përgjegjësi të lartë politike, në raport me proceset që po kalonte Kosova, në kontekstin e atëhershëm kohor.