Aktuale

Haradinaj për masakrën e Dubravës: Krimi më monstruoz në Kosovë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën e burgut të Dubravës. Në 20 vjetorin e kësaj masakre, Haradinaj ka thënë se ky krim mbetet një nga krimet më monstruoze të Kosovës.

Ai në facebook ka potencuar se është e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët.

Tutje Haradinaj tha se Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë.

Publikimi i plotë i Haradinajt:

Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme. Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar. Mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta. Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë.

the authorBurbuqe Metolli