Aktuale

Haradinaj shkon për ngushëllime te ministri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, bashkë me një pjesë të kabinetit të tij qeverisës kanë vizituar ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për ta ngushëlluar për vdekjen e babait të tij, Feriz Reçica.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se ministrit Reçica i ka shprehur konsideratën për punën e tij, derisa familjes i ka kërkuar që të kenë forcë ta përballojnë dhimbjen për vdekjen e kryefamiljarit.

“Me kabinetin qeveritar, për ngushëllim në familjen e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për ndarjen nga jeta të babait të tij, Ferizit. Ministrit Reçica i shpreha konsideratën time për punën dhe kujdesin e tij. Kurse nënës së tij i urova forcë që ta përballojë këtë dhimbje”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Bashkë me Haradinajn kanë qenë edhe kolegët e ministrit Reçica, ministri i Financave, Bedri Hamza, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka. /FaktePlus