Aktuale

Haradinaj: Do ta përmbyllim shtetbërjen e Kosovës

Lideri i AAK-së dhe i nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, gjatë fushatës zgjedhore që ka mbajtur sot në Mitrovicë, ka thënë se mjaft është bërë me këtë gjendje në vend, dhe se ky koalicion do të ndryshojë mënyrën e qeverisjes së deritashme.

Ai premtoi se me Qeverinë Haradinaj do të përmbyllet shtetbërja e Kosovës. Sipas tij, ai ka ofruar mundësi bashkëpunimi edhe më herët partive të ndryshme për ndryshim të situatës, si LDK-së e Vetëvendosjes, por siç u shpreh, ata nuk kanë qenë seriozë në këtë drejtim.

Haradinaj theksoi se fati i Kosovës dhe qytetarëve të saj, është i lidhur ngushtë me shqiptarët gjithandej ku jetojnë, dhe qytetarët e Kosovës duhet të jenë të vëmendshëm për zhvillimet, sepse ato reflektojnë jashtëzakonisht tek të gjithë bashkëkombësit e tyre.

“Jam thellë i bindur se plot prej nesh sot në politikë, jo vetëm në koalicionin e madh të fitores, jo vetëm në PDK të Veselit, jo vetëm në AAK tek unë e në Nisma, por ndoshta tek një shumicë e jona është një konfirmim, një ndjenjë se boll është boll me gjendjen në vend, boll është boll me gjendjen në këtë pjesë të atdheut, pra në veriun e Kosovës…Me një qeveri Haradinaj, e që e foli me siguri tani…jam bindur se këtë thirrje, këtë ndjenjë tonë, do ta përkrahin, do ta përqafojnë, do ta ndjejnë edhe vendimmarrësit e botës, e do të na bashkohen në interesin jetik, që ta përmbyllim Kosovën… Kolegëve iu kam ofru mundësi me bë ndryshim. Vetëvendosjes iu kam thënë ose merrne bartësin e Listës ose kryetarin e qeverisë, ka një vjet kjo punë. Kanë bërë hajgare ata që po thonë e dojmë ndryshimin. Do të thotë e kanë pasur në tavolinë ndryshimin, por kanë bërë hajgare me të. Kam provuar me Isën e LDK-në me bë ndryshimin, por hyni në lëkurën e tyre e merreni vesh se pse kanë bërë dhe çka kanë bërë. Nuk janë seriozë në ndryshim këta që i përmenda”, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së tha se nuk e kishte pritur nga PDK-ja këtë veprim por propozimi i tyre për të udhëhequr vendin e ka marr si nder dhe privilegj.

“E kam thënë disa herë, borxh i kam veç popullit dhe atdheut… Krejt shqiptarët i kanë sytë në Kosovë, çka po bëhet me Kosovë, me bë me shku Kosova dobët, jemi ka i marrim n’qafë krejt shqiptarët kudo që janë. Edhe Shqipërinë e dobësojmë, shqiptarët në Maqedoni po ashtu, ata në Preshevë që hjekin më shumë, e mos të flasim për diasporë e shqiptarët tonë në Mal të Zi. Në emër të një suksesi që padrejtësisht nuk e kemi mbërri, në emër të punëve që na presin, ju bëj thirrje Mitrovicë… Jam vetëm ju nëse e vendosni, vetëm nëse ju më votoni, nëse e votoni koalicionin me numër 12 janë PDK-AAK-Nisma dhe janë mbi 10 parti, atëherë jam kryeministër, sepse aty jam unë”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, Esat Peci, kryetar i AAK-së në Mitrovicë, tha se gjendjen e rëndë të qytetarëve të vendit mund ta ndryshojë vetëm ardhja e Haradinajt kryeministër.

“Kosova jonë është e begatë, e veçanërisht Mitrovica, ndërsa qytetarët e saj jetojnë keq. Kjo është e papranueshme, prandaj 11 qershori është pikënisja për të ndryshuar këtë gjendje, e këtë ndryshim mund ta sjellë vetëm kryeministri i ardhshëm Ramush Haradinaj”, tha Peci.

Gatë këtij tubimi u prezantuan edhe kandidatët e kësaj partie për deputetë në Parlamentin e Kosovës, Gazmend Abrashi, Muharrem Nitaj, Fatmir Rrukolli dhe Besnik Tahiri. /KP