Aktuale

Haradinaj takon Andrews, flasin për partneritetin Kosovë-SHBA

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, bën të ditur se priti sot në takim Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të ligjit, Jorgan K. Andrews, me të cilin biseduan për partneritetin e Kosovës me SHBA-të, në luftë kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Theksova se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fuqizimin e sektorit të sigurisë, veçmas duke forcuar Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat dhe është partner i denjë edhe për operimet globale në këtë fushë”.

“E falënderova z. Andrews për ndihmën e pakursyer që SHBA-të kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin në forcimin e institucioneve të vendit dhe kërkova nga ai që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve tona, karshi përgjegjësive të përbashkëta”.

“Kosova ka arritur të ndërtojë institucione kredibile dhe të avancojë në profilizimin e tyre, falë edhe partneritetit me SHBA-të dhe sot jemi të gatshëm të qëndrojmë në krah me vendet aleate, në sigurimin e paqes dhe stabilitetit, jo vetëm për qytetarët tanë!”, shkroi Haradinaj në Facebook. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN