Aktuale

Haradinaj: Zahir Pajaziti ka një rol të veçantë në lirinë e Kosovës

Në ditëlindjen e komandantit të UCK-së dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i shoqëruar edhe nga ministra dhe deputetë kanë vënë kurora lulesh pranë përmendores së komandantit Zahir Pajaziti.

Me këtë rast, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se Zahir Pajaziti ka një rol të veçantë në lirinë dhe në kontributin për lirinë e Kosovës.“Sot me një pjesë të kabinetit qeveritar, deputetë, kolegë të tjerë nderuam dhe vumë lule tek shtatorja e heroit të kombit Zahir Pajaziti.

Është ditëlindja e komandantit Zahir Pajazitit dhe ky gjest i sotëm, ky nderim është pikërisht përcjellje e porosisë për çka breza e breza janë flijuar, për çka Zahir Pajaziti ka një rol të veçantë në lirinë dhe në kontributin për liri”, tha ai.

Zahir Pajaziti ka lindur më 1 nëntor të vitit 1962 në fshatin Turuqicë të Podujevës, ndërsa ra dëshmor më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.

Ai ishte një ndër themeluesit e UÇK-së dhe Hero – dëshmor i luftës së Kosovës, ku ai u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën./KosovaPress/