Aktuale

Hardianj thotë se investimet gjermane kanë munguar për shkak se është besuar se në Kosovë ka korrupsion

Republika e Kosovës në nisjen e vet si shtet ka pasur menjëherë partneritetin, miqësinë, përkrahjen e Republikës Federale të Gjermanisë.
Ky partneritet ka ekzistuar edhe më herët, por pas shpalljes së pavarësisë është konfirmuar me njohjen dhe me vendosjen e marrëdhënieve bilaterale diplomatike, marrëdhënie këto që janë zhvilluar në nivelin më të lartë dhe vazhdojnë sot të jenë funksionale në nivel të mirë, të respektuar dhe të besuar. Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën e organizuar nga Ambasada Gjermane, me rastin e shënimit të 10 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.

“Gjermania është vend që ka sjell në Kosovë jo vetëm donacionet, përkrahjen politike, në siguri përmes ushtrisë, por ka sjell në Kosovë edhe ndjenjën e besimit në perspektivën në të ardhmen, përvojat e saj shumë të çmuara deri te ajo që në Kosovë njihet dhe çmohet si e tillë, brendin gjerman, një vlerë e besueshme”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në Kosovë është e njohur se marrëdhëniet me Gjermaninë e ngritin Kosovën dhe brendin e Kosovës.

Duke folur më tej për përkrahjen e Gjermanisë, kryeministri Haradinaj tha se Kosova e ka ndjerë këtë përkrahje përmes proceseve rajonale, siç është procesi i Berlinit, WB 6, që për Kosovën është shumë domethënës, ngase në etapa të caktuara është hetuar një tendencë e mos përfshirjes së Kosovës në proceset integruese, duke pasur parasysh faktin e disa vendeve mosnjohëse dhe pengesave tjera që kanë rezultuar.

“Ky proces na ka dhënë garancën se Kosova mbetet në binarë të integrimit evropian dhe ne i jemi mirënjohës Gjermanisë, Kancelares Merkel për këtë proces që na bashkon neve të Ballkanit mes vete, por edhe na mbanë të orientuar drejtë BE-së që është shumë me rëndësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj po ashtu foli edhe për diasporën shqiptare në Gjermani, të cilët kanë ndjenjë të fuqishme për Gjermaninë, lidhje këto të cilat bëhen më të forta dhe krijojnë obligim më të madh ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj bëri thirrje për investime nga Gjermania në Kosovë, duke theksuar se janë dy projekte të cilat japin shpresë, shkolla Loyola në Prizren, një kualitet Gjerman i shkollës, projekt ky i cili vlen t’i jepet përkrahje, për shkak se fëmijët që kryejnë shkollë në këtë gjimnaz janë të gatshëm qoftë të vazhdojnë studimet në këta parametra, apo edhe t’i bashkohen tregut të punës me kualitete të fituara.

“Projekti tjetër që na jep shpresë është kampi ushtarak, transformimi i tij në një kamp ekonomik edhe për simbolikën e vet, pra flamuri i Bundeswehr-it që ka qenë i vendosur në Prizren, të kthehet në një flamur ekonomik të Gjermanisë, prezencës ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se nuk ka shumë investime të mëdha gjermane në Kosovë, për shkak se është besuar se në Kosovë ka korrupsion, se rendi dhe ligji nuk funksionojnë, dhe rrethanat për investime janë të vështira.

Kjo bindje është krijuar jo vetëm te investitorët në Gjermani, por edhe në Francë dhe vende të tjera të BE-së, por siç tha kryeministri Haradinaj, në dekadën e dytë që kemi filluar së bashku, ia vlen që ta rifitojmë guximin dhe t’i rikthehemi mundësisë për investime në Kosovë nga kompanitë gjermane.

“Jam thellë i bindur se Kosova është kompatibile, është garuese me kushtet që i ofron jo vetëm në regjion. Infrastruktura jonë mundëson jo vetëm operim në tregun në Kosovë, por edhe lidhje me tregjet regjionale dhe lidhje edhe me tregjet në BE”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se popullata e re në Kosovë ka pasion punën, dhe njëkohësisht është e rëndësishme se Kosova ka resurse të pa aktivizuara.

Edhe pse Kosova është popull evropian, megjithatë kryeministri Haradinaj tha se nuk dëshirojmë të vijmë të jetojmë në Evropë, por në vendin tonë dhe t’i sjellim kompanitë gjermane në Kosovë.

Ndërsa, duke folur për liberalizimin e vizave, kryeministri Haradinaj tha se këtë nuk e bëjmë që të vijmë te ju në Evropë, por që t’ju sigurojmë juve se qytetarët e Kosovës me mundësitë e lëvizjes së lirë janë vetëm një partner për ekonomitë tuaja, për popujt dhe investitorët e juaj.

Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues institucional, të shoqërisë civile dhe personalitete të tjera. Ndërsa nga një fjalë në këtë konferencë e mbajtën ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili falënderoi kryeministrin për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadori Wolfgang Ischinger./Lajmi.net/