Aktuale

Havolli: Institucionet e drejtësisë janë goditur nga Qeveria

Oda e Avokatëve të Kosovës ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka pezulluar rregulloren e nxjerrë nga OEK-u, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësorë të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Policinë e Kosovës, për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli tha se sistemi gjyqësor, në këtë rast KPK-ja, KGJ-ja dhe OAK-u, janë goditur rëndë nga Qeveria e Kosovës me pezullimin e kësaj rregulloreje.Sipas tij, për herë të parë një qeveri interferon në mënyrë direkte në punën dhe bashkëpunimin e krijuar tashmë, mes KGJK-së, PKP-së, PK-së dhe OAK-së.

Havolli theksoi se Qeveria ka ra në lajthitje me marrjen e këtij vendimi me të cilin do të shkaktojë dëme të pariparueshme në sistemin juridik të vendit, duke atakuar të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë.
Kreu i OAK-ut shtoi se këtë rregullore e kanë kundërshtuar një numër i vogël i avokatëve, të cilët kanë bërë ankesë në institucione të ndryshme për pezullimin e kësaj rregulloreje.

Havolli bëri të ditur se nuk do të ndalen deri në heqjen e këtij vendimi nga Qeveria e Kosovës dhe do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore.

Rregullorja parasheh që avokatët që caktohen sipas detyrës zyrtare e që paguhen nga shteti, të caktohen në departamentin e përgjithshëm avokatët e rinj deri në tri vjet përvojë, derisa mbi tri vjet përvojë të caktohen për krime të rënda.

Kjo rregullore ishte hartuar pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes OAK-ut, KGJK-së, KPK-së dhe Policisë së Kosovës, me inicimin e OSBE-së.Rregullorja kishte hyrë në fuqi me 1 gusht të vitit 2016, pasi me 30 qershor Këshilli Drejtues i OAK-ut, ka miratuar këtë rregullore në të cilën parashiheshin të gjitha kriteret, procedurat, të drejtat dhe detyrimet e avokatëve.Gjatë vitit 2016, OAK-u kishte angazhuar avokatë sipas detyrës zyrtare në 9 mijë e 563 raste, për nevojat e gjykatës, prokurorisë dhe policisë./KosovaPress/