Aktuale

Haxhiu: KQZ e fokusuar në mëditje e jo në punë profesionale

Kuvendi i Kosovës, ka shqyrtuar dhe Raportin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2015. Albulena Haxhiu e cila prezantoi raportin tha se anëtarët e Komisionit për Legjislacion kanë pasur vërejtje sa i përket punës dhe raportit të KQZ-së.

“Si problem është evidentuar, mos pastrimi i listave, votimi i qytetarëve jashtë vendit dhe problemi kryesor, që po i lejojnë qytetarët serbë të votojnë me dokumente të Serbisë. Shqetësim tjetër i ngritur ishte dhe organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Edhe pse kjo çështje mbetet në përgjegjësi të Qeverisë. Nuk është bërë auditim i financimit të subjekteve politike. Komisioni ka rekomanduar Kuvendit që të miratohet raporti i punës“, tha ajo.

Ndërsa duke folur në emër të grupit parlamentar të VV-së tha se KQZ është fokusuar vetëm në mëditje e udhëtime jashtë vendit, e jo në punë profesionale.

“Në Graçanicë kanë votuar votues me dokumente të Serbisë e KQZ në vend se t’i ndalojë këto veprime i ka lejuar duke heshtur. S’është bërë asgjë në pastrimin e listave. Shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit. Vetëm Daka gjatë vitit të kaluar ka marrë diku 6 mijë euro mëditje nga udhëtimet jashtë vendit dhe nuk ka takuar asnjë bashkatdhetar. Ka udhëtime të shumta dhe të pa arsyeshme dhe nga anëtarët tjerë të këtij komisioni. Përfitimet materiale vendosen para atyre profesionale. Vizita të panevojshme jashtë vendit. Është e papranueshme që mërgata të ketë pjesëmarrje kaq të ulet në zgjedhje, për shkak të procedurave të KQZ-së“, tha Haxhiu./KosovaPress/