Aktuale

Hetimet për rastin Dehari drejt mbylljes

Prokuroria në Prizren është afër përfundimit të hetimeve në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Pas gati dy muaj hetimesh, Prokurori i rastit Metush Biraj i ka konfirmuar KTV-së se ata janë në fazën e përmbylljes së hetimeve.

Biraj, përmes telefonit, ka thënë se pas dëgjimit të shumë dëshmitarëve dhe ekzaminimit të provave të ndryshme e të cilat sipas tij, çojnë në vetëvrasje këto hetime pritet të mbyllen.

Fundi i hetimeve për rastin Dehari po vjen në kohën kur rreth ngjarjes po zhvillohet debati nëse duhet të ketë ende një hetim ndërkombëtar.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, paralajmëron se ai sërish me mbështetjen e familjes Dehari, do të kërkojë fillimin e hetimeve të pavarura ndërkombëtare për vdekjen e Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Megjithatë, Gashi thotë se ditë më parë, nga Prokuroria në Prizren, ka pranuar dy raporte njëra lidhur me ADN-në e rrobave të Astrit Deharit dhe një raport të ekspertëve të psikiatërve, të cilët konstatojnë një gjendje normale psikike të Deharit.

E derisa hetimet janë në fazën përfundimet për Astrin Deharin, Prokuroria Speciale e Kosovës ditë më parë ngriti aktakuzë ndaj 4 kolegëve të Deharit të cilët sipas prokurorit, në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale terrorizëm.

Por në aktakuzën 13-faqëshe, prokurori special, Abdurrahim Islami, nuk arriti asnjëherë ta saktësojë se cili nga 4 të dyshuarit e kishte goditur me raketa hedhëse objektin e Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti.