Aktuale

Himarë, merr flakë skafi në det, shpëtojnë dy plazhistët

Një skaf ka marrë flakë teksa ishte në det. Mësohet se në skaf kanë qenë dy persona, por që kanë shpëtuar pa dëmtime të rënda. ata janë hedhur në ujë sapo kanë hasur flakë në mjetin lundrues.

Informacionet e para bëjnë me dije se skafi vijon të digjet pranë bregdetit të Potamit.

Ngjarja ka ndodhur në vijën bregdetare të Himarës, pranë vendit të quajtur “Llaman”, ku mjeti lundrues tip skaf “Liburnet 1” dyshohet se për shkak të nxehjes së motorit ka filluar të marrë flakë dhe për pasojë janë shpëtuar nga ndërhyrja e Policisë Kufitare, 2 shtetasit, të cilët ishin pjesë e bordit të këtij skafi:

– A.B., banues në Durrës (drejtues i mjetit lundrues),

– D.D., me banim në Durrës (pasagjer).

Dyshohet se ngjarja ka ardhur për shkaqe aksidentale, pasi sipas deklarimeve të 2 personave të bordit, atyre u është fikur motori 200 m larg bregut të “Gjirit të Filikurit”, Himarë dhe në tentativë për ta ndezur përsëri, motori ka dhënë shkëndijë elektrike duke pasuar kështu me përhapjen e flakëve të zjarrit.

Mjeti lundrues ka qenë konform rregullave ligjore, aktualisht situata është nën kontroll, kryhen veprimet e mëtejshme nga Policia Kufitare.