Aktuale

Historia e ngjarjeve që çuan në vrasjen e trefishtë në Prizren

Babë e bir Eshref e Ejup Shemallari u dënuan sot nga Gjykata në Prizren për vrasjen e trefishtë dhe për ndihmë në këtë vrasje që ndodhi pikërisht më 8 mars 2015 në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Trupi gjykues vendosi që i akuzuari kryesor Eshref Shemallari, për veprën penale të vrasjes së rëndë të dënohet me burg efektiv në kohëzgjatje prej 23 vjetësh. Ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje të një pushke automatike dhe një revoleje mori dënimin prej dy vjet burgim.
Filtered Results for You
Click Here Now To See All: easy healthy recipes
Gjykata të njëjtit i shqiptoi dënimin unik në kohëzgjatje prej 24 vjet burgim efektiv.

Ndërsa i akuzuari tjetër Ejup Shemallari, i biri i Eshrefit, u gjet fajtor për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale dhe u dënua me 4 vjet e gjysmë burgim efektiv.

Gjykata, të akuzuarit i ngarkoi edhe me paushallin gjyqësor dhe në totalin prej 800 eurove. 500 euro për Eshref Shemallarin dhe 300 euro për Ejup Shemallarin.

Në fjalën e tij përfundimtare javën e kaluar, prokurori Genc Nixha ndryshoi aktakuzën sa i përket të akuzuarit Ejup Shemallari, nga vrasja e rëndë në bashkëkryerje në veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë. Po ashtu, prokurori hoqi dorë ndaj Ejup Shemallarit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Mirëpo, gjykata të akuzuarin Ejup Shemallari nuk e gjeti fajtor as për veprën e rikualifikuar të prokurorit.

Ejup Shemallari nuk u dënua për veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë, por mori dënim për veprën penale të dhënies së ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale.

Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzoheshin për shkelje të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që më 8 mars 2015 rreth orës 14:10 minuta në Prizren në Rrugën “Ismet Jashari- Kumanova”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake të mëhershme, me dashje privuan nga jeta tani të ndjerët Ferdi Shishko, Haki Thaçin dhe Belgin Ersoj, të gjithë nga Prizreni.

Incidenti kriminal, i cili ishte temë e diskutimeve të shumta për shkak të së kaluarës recidiviste të të vrarëve, përfundoi më një dënim total prej 28.5 vjetësh burg.

Historiku, pse erdhi deri te kjo vrasje?!

Vrasja e trefishtë e cila tronditi qytetin e Prizrenit, në Ditën e Gruas, pikërisht më 8 mars të vitit 2015, doli të jetë me të kaluar të hershme problematike mes të dyshuarit për vrasje dhe viktimave.

Dy të dyshuarit, pas kryerjes së vrasjes kishin ikur nga vendi i ngjarjes dhe ishin në arrati, derisa vetë u dorëzuan pas disa ditëve në polici.

Tre të vrarët e vitit 2015 ishin përsëritës të veprave penale, që në gjuhën juridike ndryshe quhen si recidivistë.

31 vjeçari Ferdi Shishko, shtetas i Kosovës i përkatësisë etnike shqiptare, ishte i martuar dhe baba i një fëmije, ndërsa kishte të kryer vetëm tre vjet të shkollës fillore. Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, për të figurojnë 6 vepra penale.

Tri prej tyre kanë të bëjnë me lëndim të lehtë trupor, dëmtim të pasurisë së luajtshme dhe kanosje, përderisa një vepër tjetër të lëndimit të rëndë trupor e ka pasur në bashkëkryerje me viktimën tjetër Belgin Ersoy.

Viktima e dytë – 36 vjeçari Belgin Ersoy, me kombësi turke, kishte të evidentuara 5 vepra penale. Tri prej tyre kishin të bëjnë me shkaktim të lëndimit të lehtë trupor, një vepër penale e kanosjes dhe vepra penale e lëndimit të rëndë trupor e kryer në bashkëkryerje më viktimën Shishko.

Ndërsa te viktima e tretë, 32 vjeçari Haki Thaçi, me kombësi shqiptar, po ashtu figurojnë 3 vepra penale.

Prej tyre një vepër penale e kanosjes, një vepër penale e armëmbajtjes pa leje dhe një tjetër vepër penale e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

E kaluara mes të akuzuarit për vrasje dhe viktimave

Sipas aktakuzës së prokurorisë, më 07 qershor 2013, rreth orës 16:00 në Prizren, në Rrugën “Sheh Jemini” pikërisht në oborrin e Qendrës Tregtare “Abi Center”, Ferdi Shishko dhe Belgin Ersoy, në bashkëveprim i kishin shkaktuar lëndim trupor duke i dëmtuar përkohësisht shëndetin të dëmtuarit Eshref Shemallari.

“Derisa i dëmtuari Eshref ishte duke pirë kafe, Shishko dhe Ersoy, nga pjesa e pasme e kishin goditur me thikë dhe shkop bejsbolli, mjete këto të përshtatshme për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor, apo dëmtim të rëndë të shëndetit” thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Goditjet, i dëmtuari i kishte marrë në pjesën e kokës, në krahun dhe shpatullën e majtë, në shpinë dhe pjesë tjera të trupit. Këto lëndime ishin konstatuar në mendimin e ekspertit mjeko- ligjor si lëndime të rënda trupore.

Për këtë rast, i cili siç duket ishte edhe fillimi i problemit dhe që kishte ndodhur në qershorin e vitit 2013, gjykata nuk kishte arritur të mbante asnjë seancë gjyqësore, për shkak se lënda nga prokuroria i kishte shkuar gjykatës pas dy vjetësh, më saktësisht në muajin shkurt të vitit 2015.

KALLXO ka kuptuar se problemet mes të dyshuarit dhe viktimave kishin vazhduar edhe më tej, së fundmi viktimat kishin pasur konflikt edhe me djalin e të dyshuarit.

Në trupin e dy viktimave Ferdi Shishko dhe Haki Thaçi, janë gjetur armë, të cilat i kishin pasur me vete në momentin kur kishte ndodhur vrasja.

Të thënat gjatë procesit gjyqësor

Gjatë procedurës së provave, Xhevat Shishko, babai i të ndjerit Ferdi Shishko, i vrarë në mars të vitit 2015 në Prizren, dëshmoi për të kaluarën e djalit të tij dhe përpjekjet për pajtim me familjen Shemallari.

Dëshmitari Shishko, para trupit gjykues deklaroi se djali i tij, Ferdi, disa herë kishte pasur probleme me qytetarë të ndryshëm.

Shishko, tha se ka qenë në dijeni edhe për konfliktin që kishte pasur djali i tij Ferdi me të akuzuarin Eshref Shemallarin, të cilin tha se e kishin rrahur shumë, por nuk e dinte se me kë kishte qenë Ferdi, ngase për rastin tha se vetëm kishte dëgjuar nga të tjerët.

Dëshmitari tha se pas konfliktit që kishte pasur djali i tij, Ferdi, disa herë kishte dërguar njerëz sipas traditës për t’ia falur, mirëpo për dy vite me radhë familja Shemallari e kishin lënë pa përgjigje.

“Kam kërku falje, i kom çu njerëzit me ma falë, njerëzit shkojshin e vinin po kurrgjë, thojke jo e kam vëllaun në Gjermani. Sërish i kam çu njerëz, po ai kërkojke thojke veç kush e ka shti (Ferdin) me e rreh Eshrefin”, kishte deklaruar Xhevat Shishko, para trupit gjykues.

Dëshmitari kishte deklaruar në gjykatë se Ferdin askush nuk e kishte shtyrë për t’u rrahur me Eshrefin dhe se sipas fjalëve që i kishte thënë Ferdi gjithçka kishte ndodhur rastësisht.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Genc Nixha ndryshoi aktakuzën sa i përket të akuzuarit Ejup Shemallari, nga vrasja e rëndë në bashkëkryerje në veprën penale të vrasjes së rëndë në ndihmë. Po ashtu, prokurori hoqi dorë ndaj Ejup Shemallarit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Prokurori kërkoi në fund që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Eshref Shemallari, avokati Mahmut Halimi, në fjalën përmbyllëse para trupit gjykues tha se jetët e tre personave të ndjerë kanë mundur të shpëtohen dhe të mos vijë te vrasja, nëse organet e ndjekjes do të kishin vepruar në kohë, duke aluduar në mosreagimin e rastit ku Eshref Shemallari kishte qenë i dëmtuar.

Avokati Halimi, po ashtu kishte përmendur edhe faktin se tre të ndjerët disa herë i kanë shqetësuar të akuzuarit. Por, sipas tij, organet hetuese kanë dështuar të veprojnë me kohë.

Halimi, tha po ashtu se ditën kritike të akuzuarit kishin dalë për të marrë gjëra ushqimore për familjen, ndërsa njëri ndër ta, Eshref Shemallari, kishte marrë me vete edhe armën.

Avokati kishte deklaruar se gjatë rrugës, Eshrefi kishte ndaluar për të pyetur frizerin për termin, ndërsa aty ishin ofruar të ndjerët dhe i kishin thënë “a don me të zbutë hala, a don me ta zbutë djalin?”.

Ky, sipas avokatit Mahmut Halimi, kishte qenë momenti që Eshrefi kishte nxjerrë pushkën që e kishte në bagazh të veturës të cilën e drejtonte Ejupi dhe kishte shtënë mbi të ndjerët.

Avokati Mahmuti, nuk la pa përmendur para trupit gjykues, se tre të ndjerët edhe sipas raportimit të mediave, e edhe në bazë të dokumentacionit kishin qenë persona të njohur për organet e rendit për të kaluarën e tyre kriminale.

Dy të akuzuarit, babë e bir, Eshref e Ejup Shemallari, në fund të këtij procesi u shprehën të penduar për atë që kishte ndodhur, ata u kërkuan falje familjarëve të viktimave në gjykatore, mirëpo familjarët patën reagime negative.

Madje nëna e të ndjerit Ferdi Shishko, reagoi duke thënë “kërkim-faljet tona kur çuam njerëz nuk na i pranuat as ne nuk duam t’i pranojmë tani kërkim-faljet tuaja. Djemtë tanë po hanë dhe”.

Pas shpalljes së aktgjykimit të sotëm, familjarët e viktimave të pakënaqur me dënimet e gjykatës reaguan duke thënë se “do të përdorin kanunin” nëse drejtësia nuk shkon në vend siç duhet.

Ata, paralajmëruan se do të bëjnë ankesë ndaj vendimit të gjykatës.

Ankesë paralajmëroi se do të paraqesë edhe prokurori i shtetit “në parim, do të parashtrojmë ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin” tha prokurori i rastit, Genc Nixha.

the authorE B