Aktuale

Hoti: Çështja e njohjes reciproke do të mbyllet brenda këtij viti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se përveç njohjes reciproke, nuk do të ketë tjetër zgjidhje me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se duke i parë rrethanat aktuale, Serbia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës brenda këtij viti, raporton lajmi.net.

Sipas Hotit nuk do të ketë asnjë model tjetër që do të merret parasysh në çështjen e Kosovës dhe Serbisë, pasi që siç theksoi ai, njohja reciproke është e vetmja zgjidhje në mes të dyja shteteve.

Hoti po ashtu ka theksuar se në procesin e bisedimeve me Serbinë, Kosova ka hyrë me premtimin dhe zotimin e liderëve të BE-së që ky proces do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

“Nëse e lexoni analist të ndryshëm e institute të ndryshme do të shihni lloj-lloj idesh. Intuita ime thotë se do ta mbyllim këtë çështje brenda këtij viti, ashtu siç po shkojnë gjërat. Nuk do të ketë mbyllje kreative në mes të Kosovës dhe Serbisë. Nuk është njëjtë sikur ndërmjet dy Gjermanive apo çështjes së Qipros. Është krejtësisht ndryshe. Nuk do të merren në konsiderim kurrfarë modelesh përveç njohjes reciproke sepse kjo është e vetmja zgjidhje. Kemi hyrë në këtë proces për normalizim të plotë dhe njohje reciproke. Dhe këto janë edhe zotime të liderëve të BE-së”, deklaroi Hoti ndër të tjerash, raporton lajmi.net.

 

Këto komente Hoti i bëri në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me titull “Platformës së shoqërisë civile për dialog”, tregoi të arriturat e dialogut deri më tani si dhe marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prezencë të presidentit amerikan Donald Trump.

the authorGazetaKNN