Aktuale

Hoti e mbyll natën në Prizren, do t’ia kthejmë dinjitetin këtij qyteti të nëpërkëmbur

Kandidati për kryeministër i koalicionit LDK-AKR-Alternativa e ka mbyllur ditën e ditën e nëntë të fushatës në qytetin e Prizrenit. Ai ka marrë pjesë në një koncert të organizuar nga Forumi i të Rinjve të LDk-së në sheshin Shatërvan.

Pasi ka përshëndetur dorë për dorë e është fotografuar me shumë qytetarë, Hoti ka premtuar se nëse merr besimin më 11 qershor “do t’ia kthejmë dinjitetin këtij qyteti të nëpërkëmbur tash e 8 vjet”, raporton Ekonomia Online.“Prizreni është vendi i besëlidhjes shqiptare, i cili ka ruajtur me fisnikëri traditën tonë kombëtare, por ky qytet vitet e fundit ka vuajtur shumë nga keqqeverisja dhe korrupsioni”, ka thënë Hoti.

“Me përkrahjen nga Prizreni dhe gjithë Kosova, do ta çrrënjosim korrupsionin, këtë hije të zezë mbi kokat tona, dhe do ta bëjnë vendin tonë siç e meritojnë fëmijët tanë”, ka theksuar ai.

Kandidati për ta udhëhequr Qeverinë ka shprehur bindjen se fitorja e “koalicionit të djathtë” do të jetë e thellë më 11 qershor.Ai tha se besimin ia shton dhe ky numër i qytetarëve të rinj që kanë dalë me u bashku me Forumin e LDK-së, në këtë koncert në Prizren.

“Jam i bindur se ju duhet me mbajt këtë binë, sepse duhet me e festu në mbrëmjen e së dielës”.Më tutje Hoti theksoi se këto nëntë ditë të fushatës zyrtare, por edhe takimet që kanë nisur më herët, kanë qenë për të “një rrugëtim i jashtëzakonshëm, në secilën komunë të Kosovës me të gjitha kategoritë e shoqërisë të Kosovës, me të gjithë qytetarët pa përjashtim”.

Avdullah Hoti theksoi se fitorja e koalicionit të tij është fitore e qytetarëve të Prizrenit. “Do të jetë fitore e studentëve, bizneseve, zanatlinjve e të gjithë njerëzve të jashtëzakonshëm punëtorë. Do t’ia kthejmë dinjitetin këtij qyteti, të nëpërkëmbur tash e 8 vjet”, ka përfunduar Hoti.