Aktuale

Hoti i kërkon vizat në Bruksel te Komisioneri Varhelyi

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti është takuar sot me komisionerin e BE’së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, raporton Gazeta Express.

Sipas njoftimit të Qeverisë, të dy biseduan për zhvillimet e fundit politike në vend.

Kryeministri Hoti e ka njoftuar komisionerin Varhelyi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në veçanti në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID 19, për masat që janë ndërmarrë dhe për Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.

Në emër të qeverisë, kryeministri Hoti i ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen financiare dhe teknike që i kanë dhënë Kosovës në luftimin e pandemisë.

Ai, po ashtu, ka shtruar nevojën e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave, duke theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin lirshëm sikurse popujt e tjerë, pasi që janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, e cila paraqet një akt të vullnetit të mirë për të ecur më tej drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në mes të dy vendeve, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke./GazetaExpress/