Aktuale

Hoti në Kaçanik premton rritje pagash për punonjësit publik

Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, bashkë me partnerë të koalicionit, të enjten mbajti tubim elektoral në Komunën e Kaçanikut, me ç’rast tha se në programin qeverisës prioritet mbetet zhvillimi ekonomik dhe punësimi.

Ai premtoi se do të ketë rritje pagash në sektorin publik, si dhe do të ketë përkrahje për rininë.

“Programi jonë të dashur qytetarë është i thjeshtë, i qartë. E para është zhvillim ekonomik dhe punësim për gjithë, pa përjashtim. Në veçanti për rininë. Askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se sa LDK-ja dhe partnerët e koalicionit. Jemi dëshmuar me kryeministrin Mustafa në dy vite e gjysmë të qeverisjes, kemi krijuar 40 mijë vende të reja të punës, kemi trefishuar rritjen ekonomike. Unë ju garantoj se ky është vetëm fillimi. Punët e mira dhe të hairit të Kosovës veç sa kanë filluar. Tash na duhet mbështetje e madhe për qytetarët për të dërguar përpara këtë projekt të jashtëzakonshëm. I kemi rritur pagat menjëherë në fillim të vitit 2015. Dhe tash i sigurojmë qytetarët e Kosovës, të gjithë ata njerëz që varen nga pagat e sektorit publik do t’i rrisim çdo vit sipas rritjes ekonomike. Ne prodhojmë rritje ekonomike, rrjedhimisht i rrisim pagat. Të tjerët nuk mund ta bëjnë këtë”, tha Hoti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Avdullah Hoti është kandidat i fortë mentalisht dhe se ai do të punojë për interesin e vendit.

“Ju tregut se ne e kemi njeriun e fortë për kryeministër të Kosovës, e kemi Avdullah Hotin. Sepse njerëzit e fortë nuk janë vetëm ata që duken vetëm fizikisht të fortë, por janë ata që duken mentalisht të fortë që marrin vendime të forta, marrin vendime të arsyeshme që i mendojnë vendimet përpara se t’i marrin që mendojnë për qytetarin dhe për Kosovën, të cilët punojnë për interes të Kosovës,” tha Mustafa.

Ndërsa kandidati i AKR-së për deputet Labinot Tahiri, tha se presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli ka të punësuar vetëm në Kosovë mbi 5 mijë punëtorë, ndërsa jashtë ka mbi 15 mijë të punësuar. Sipas tij, me fitoren e 11 qershorit, zotimi i parë do të jetë punësimi i të rinjve. Tahiri, madje për hir të bashkëpunëtorëve të ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, kaçanikasve u këndoi vetëm një varg të këngës.

“Ka mbi 5 mijë punëtore në Kosovë e mbi 15 mijë nëpër gjithë botën. Imagjinojeni me fitoren që do ta korrim. LDK-AKR-Alternativa do të kenë primar punësimin e qytetarëve të Kosovës e sidomos të rinisë. Unë për hir të bashkëveprimtarit të Ibrahim Rugovës do ta këndoj vetëm një varg të këngës meqenëse jam në Kaçanik”, tha Tahiri. /kp