Aktuale

Hoti: Raporti i Qeverisë Haradinaj me tendencë për mashtrim

Raporti 100 ditësh i Qeverisë Haradinaj është raport me tendencë për mashtrim, mungesë të vizionit për reforma ekonomike dhe sociale, si dhe pasqyron shkeljet ligjore dhe kushtetuese.

Kështu ka thënë shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media, ku theksoi se në këtë raport ka mungesë totale profesionale.

“Raporti tregon se premtimet e dhëna gjatë fushatës kanë qenë vetëm mashtrime eleltorale sepse nuk janë të reflektuara në punën e qeverisë gjatë 100 ditëve, ka pasaktësi dhe ka tendencë në disa pika të raportit për mashtrim të qytetarëve dhe deputetëve “,ka thënë ai.

Ai përmendi ushtrinë që ka qenë premtim elektoral që do të merren hapa konkret në drejtim të themelimit të ushtrisë.

“Nuk është përcjell me buxhet në vitin 2018, ka kushtëzim të plotë nga partnerët e koalicionit, veçanërisht nga lista serbe për të lëvizë në këtë drejtit. Tek çështja e demarkacionit që është krijuar atëherë si kauzë e rrejshme nga opozita e atëhershme dhe kryeministri i tanishëm, dolën në pah që kanë qenë kauza të rrejshme për të ardhur në pushtet. Tek dialogu me Serbinë që është hap shumë i nevojshëm për integrimin e Kosovës në agjendën euro-integruese, nuk ka platformë të çartë të dialogut, nuk ka asnjë hap konkret të Qeverisë në këtë drejtim… sa i përket vizave është mashtrimi i radhës, puna tjetër e madhe që as është tentuar të ndërmerret ndonjë hap konkret, përkundrazi ka degradu, ju e dini që Komisioni Evropian ka kthyer kushtin për luftimin e korrupsionit, si kusht për liberalizimin e vizave, bashkë me demarkacionin. E vetmja punë e madhe në këtë Qeveri është madhësia e kabinetit qeverisës me afër që 70 zëvendësministra, 22 ministra, që në total me stafin përcjellës shkojnë rreth 520 anëtar të kabinetit qeverisës. ”, tha ai.

Shkelje të ligjit, Hoti e konsideroi edhe shkarkimin e bordeve, pasi ato i raportojnë kuvendit, si dhe ndërhyrjen e Haradinajt në rastin e shpronësimit në Obiliq.

“Ajo që është më e papranueshme, që është skandaloze ndajnë vendimet joligjore, jo kushtetuese të kryeministrit dhe Qeverisë, duke filluar nga falja e borxheve, mjetet e buxhetit të Kosovës falen pa asnjë procedurë, në kundërshtim me ligjin, dhe në kundërshtim me Kushtetutën. E dyta është ndarja e 2.5 milionë euro nga rezervat e shtetit me vendime skandaloze përfshi këtu edhe ndarjen për familjet e rastit Kumanova dhe plot vendime tjera siç është ndarja e mjeteve për fëmijët e Leposaviqit për festat e fund vitit”, tha ai.

Sipas tij, askush nuk e viziton Haradinajn dhe se ai zyrtarisht ka vizituar vetëm Shqipërinë, si dhe vizitën që e kishte në Bruksel.

Kurse për raportimin e Presidentit Thaçi, Hoti tha se ai nuk ka qenë President unifikues, ndërsa, veprimet e LDK-së do të merren vesh nesër./KosovaPress/

the authorE B