Aktuale

Hoti: Situata në Ukrainë e dëshmon urgjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova duhet të anëtarësohet me urgjencë për anëtarësim në NATO dhe BE, shkruan Gazeta Express.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, tha se anëtarët e NATO-s dhe BE-së që nuk e kanë njohur ende Kosovën duhet që ta bëjnë një gjë të tillë.

“1. Situata në Ukrainë e dëshmon urgjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE. Anëtarët e NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet të ndërrojnë qëndrim bazuar në situatën e krijuar, si dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk ka vend për qëndrime politike që krijojnë ambiguitet dhe lënë derë të hapur për destabilitet”, tha Hoti.

Më tutje, deputeti i LDK-së deklaroi se për 14 vite, Kosova e ka dëshmuar se është demokraci e qëndrueshme.

“2. Në 23 vite përpjekje për ndërtim të institucioneve shtetërore, përfshirë 14 vite si shtet i pavarur, Kosova ka dëshmuar se është demokraci e qëndrueshme, që përqafon dhe promovon vlerat perëndimore. Kosova ka arritur stadin e zhvillimit institucional për të dëshmuar se në kapacitetet e veta, jo vetëm që nuk është barrë politike apo financiare për NATO-n dhe BE-në, por i kontribuon stabilitetit dhe zhvillimit rajonal”, shkroi më tutje ai, teksa shtoi se Kosova është e gatshme për t’u anëtarësuar në BE.

Postimi i plotë:

Kosova në NATO dhe BE me procedura të përshpejtuara

1. Situata në Ukrainë e dëshmon urgjencën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe BE. Anëtarët e NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet të ndërrojnë qëndrim bazuar në situatën e krijuar, si dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nuk ka vend për qëndrime politike që krijojnë ambiguitet dhe lënë derë të hapur për destabilitet.

2. Në 23 vite përpjekje për ndërtim të institucioneve shtetërore, përfshirë 14 vite si shtet i pavarur, Kosova ka dëshmuar se është demokraci e qëndrueshme, që përqafon dhe promovon vlerat perëndimore. Kosova ka arritur stadin e zhvillimit institucional për të dëshmuar se në kapacitetet e veta, jo vetëm që nuk është barrë politike apo financiare për NATO-n dhe BE-në, por i kontribuon stabilitetit dhe zhvillimit rajonal.

3. Kosova është e gatshme për anëtarësim në NATO pasi kapacitetet ushtarake të Kosovës janë ndërtuar nën mbikëqyrjen e partnerëve të NATO-s, në një proces që ka qenë historik.

(i) Në verën e vitit 1999, burra e gra vizionarë të Kosovës e kishin të qartë se çfarë po bënin kur u pajtuan me NATO-n për transformimin e UÇK-së në TMK.

(ii) Pas disa vitesh ndërtim të kapaciteteve, u bë avancimi i TMK-së në FSK.

(iii) Dhe më 2018, me pakon e ligjeve për ushtrinë dhe planin 10-vjeçar të transformimit në Qeverinë Haradinaj, nisi avancimi i FSK-së në ushtri sipas standardeve të NATO-s.

(iv) Këto veprime bënë të mundur që në dhjetor të vitit 2021 në Qeverinë Hoti, Kosova të dërgojë FSK-në në misione paqeruajtëse në krah të ushtrisë amerikane.

4. Kosova është e gatshme për anëtarësim në BE. Nënshkrimi i MSA-së nga Qeveria Mustafa më 2015 dhe zbatimi i saj bazuar në Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, Agjendën e Reformave Evropiane dhe Programin e Reformave Ekonomike të vendosura nga Qeveria Mustafa, i kanë mundësuar Kosovës të ndërtojë kornizën ligjore dhe institucionale të krahasueshme me vendet që kanë avancuar në integrim në BE. Argumenti se BE-ja nuk ka aftësi absorbuese është i pakuptimtë, sepse vetë anëtarët e rinj i zgjerojnë kapacitetet absorbuese të BE-së.

5. Kosova duhet të ndërmarrë iniciativën në situatën e re të krijuar. Kuvendi duhet të miratojë urgjentisht një rezolutë, ku:

(i) i kërkohet NATO-s dhe BE-së të shqyrtojnë anëtarësimin e Kosovës,

(ii) obligohet Qeveria e Kosovës që, në konsultim me NATO-n, të rishikojë dhe shkurtojë afatet për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt të parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018, përfshirë këtu edhe sigurimin e mbështetjes financiare të nevojshme për këtë qëllim; dhe

(iii) u kërkohet vendeve të mbetura të BE-së të njohin Kosovën.