Aktuale

Hoti: Situata nga vërshimet është e rëndë, FSK e zjarrfikësit po ndihmojnë zonat e prekura

Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka thënë se gjendja në komunat që u vërshuan nga reshjet e mëdha të shiut në tri ditët e fundit është nën kontroll dhe me tendenca përmirësimi, shkruan Gazeta Express.

“Nga Qendra e Situatave u njoftova se gjendja në komunat të cilat janë përballur me vërshime ditëve të fundit, është nën kontroll. Edhe pse, vërshime ka pasur në një numër të konsiderueshëm të komunave, fatmirësisht përpos dëmeve materiale, vlerësimi i të cilave do të bëhet ditëve në vazhdim, nuk ka pasur të lënduar dhe as viktima në njerëz”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Ai më tutje tha se në bazë të dhënave nga Qendra e Situatave, gjendja është e rëndë por me tendenca përmirësimi.

“Sipas të dhënave nga Qendra e Situatave, gjendja vazhdon të jetë e rëndë por me tendencë përmirësimi. Ekipet e Xhenios, Kompania për Operacione Civile e FSK-së si dhe Njësitet e Ekipeve të Zjarrfikësve dhe të Shpëtimit, janë duke i ndihmuar banorët në zonat e prekura nga vërshimet.

Gjatë ditës kanë vazhduar intervenimet e Njësiteve të Kërkim Shpëtimit dhe të xhenios së FSK-së në një lokacion në komunën e Fushë Kosovës dhe në dy lokacione në komunën e Vushtrrisë”, ka shkruar ai,

Hoti theksoi se operacione për largimin e ujit nga vërshimet janë bërë edhe në objekte me rëndësi vitale.

“Ndërsa Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, ka zhvilluar operacione për largimin e ujit nga objektet me rendësi vitale siç janë Klinika e Pulmologjisë në QKUK, KEK-u, Trafostacioni Interkonektiv në Drenas dhe Spitali i Gjinekologjisë në Çagllavicë”, ka shkruar ai. /Gazeta Express/