Aktuale

Hoxha: Do të jem përfaqësues i zërit qytetar i cili ka për synim largimin e padrejtësive

Synon të jetë përfaqësues i zërit të atyre qytetarëve të cilët kanë për synim largimin e padrejtësive, korrupsionit dhe krimit, pasi sipas tij pa largimin e këtyre nuk ka shans për përparim në asnjë sektor.

Ky është Ylli Hoxha, kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit.

I është futur kësaj gare pasi që përvoja e tij në komunën e Prishtinës ia ka bërë të qartë se ndryshimet janë të mundshme vetëm duke qenë i përfshirë.

Hoxha, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se nevoja që ta bartin përvojën e komunës së Prishtinës në nivel qendror është shumë e madhe për ta bërë ndryshimin.

“Përvoja ime në komunë të Prishtinës ka treguar se ndryshimet janë të mundshme vetëm duke qenë i përfshirë në një luftë kundër së keqes. Prishtinën e kemi gjetur në një kaos. Fakti se kemi garuar dhe i kemi ndihmuar Shpend Ahmetit ka mundësuar reformë radikale në qytet. Konsideroj se nevoja është edhe më e madhe në nivel qendror që ta bëjmë ndryshimin dhe ta bartim përvojën e Prishtinës në nivel qendror në mënyrë që një nga një ti zgjidhim hallet e qytetarëve të cilat janë grumbulluar për 17 vite”, tha Hoxha.

Si garanci për realizim të premtimeve e merr shembullin se si në Prishtinë nga 12 premtimet kanë arritur të realizojnë 11. Ndërsa, premtimet e tij personale për Prishtinën thotë se kanë progres të jashtëzakonshëm.

“Ne ia kemi dal që në Prishtinë t’i realizojmë 11 nga 12 premtimet, të gjitha premtimet që i kam dhënë unë në Prishtinë dhe kanë qenë tri kanë progres të jashtëzakonshëm. Kam premtuar heqjen e bastoreve pranë shkollave janë larguar, kam premtuar lirim trotuaresh sot i kemi në Prishtinë shumë trotuare të liruara, kam premtuar mirëmbajtje të hyrjeve tani më ka filluar projekti për renovimin e 60 hyrjeve në Prishtinë. Me këtë model mendoj se duhet të ecim edhe në nivelin qendror në mënyrë që hallet të trajtohen konkretisht dhe specifikisht që në katër vitet e ardhshme të kemi më shumë zgjidhje sesa probleme të shtuara”, tha ai.

Edhe për zgjedhjet e 11 qershorit Hoxha ka premtime konkrete, për të cilat do të përqendrohet që ti adresoj në Kuvend. Ai tha se do ti ndihmoj Albin Kurtit si kryeministër në të gjithë agjendën e tij.

Prioriteti i parë i tij do të jetë krijimi i mirëbesimit me bizneset e vogla në Kosovë, ku ai tha se do të mundohet të krijoj një klimë mirëbesimi mes bizneseve dhe shtetit.

“E para është çështja e ndihmës për biznesin e vogël, krijimit të mirëbesimit me biznesin e vogël në Kosovë. Dhe një prej defekteve, problemeve, barrës që i ka mbetur biznesit të vogël, është për shembull arka fiskale, për shkak të një monopoli, për shkak të një plaçkitje çdo biznes ka paguar 700 euro për ta blerë një printer i cili në treg kushton 30 ose 40 euro. Dhe ka paguar çdo vit nga 100 euro si mirëmbajtje e një shërbimi që nuk kushton mbi pesë euro. Unë do të mundohem që këtë barrë bizneseve të ja u heq dhe ta krijojmë një klimë mirëbesimi mes shtetit dhe tyre në mënyrë që të luftohet edhe evazioni fiskal dhe të përmirësohet buxheti i vendit”, tha ai.

Ndërsa, për kandidatin për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Ylli Hoxha, prioriteti i dytë për të cilin do të angazhohet nëse fiton një ulëse në Kuvendin e Kosovës është trajtimi i barnave esenciale, për të ja mundësuar qytetarëve furnizimin e rregullt me barna esenciale.

“Çështja e dytë për të cilën do të angazhohem do të jetë po ashtu një padrejtësi e madhe e këtij vendi. Çështja e trajtimit të barnave esenciale, shumë qytetarë të Kosovës janë përballur me sëmundje të kancerit të zemrës, të çfarë do lloj sëmundje dhe shteti ka qenë i obliguar të siguroj barna, por për shkak të keqpërdorimeve, trajtimit të keq të tenderëve, korrupsionit, shumë qytetarë ju është pamundësuar që të kenë shërbimin të cilin shteti ligjërisht duhet të ju ofroj. Në këtë situatë ata janë detyruar të marrin kredi të hyjnë në borxhe për tu shëruar ose të shërohen jashtë vendit, miliona euro janë shpenzuar jashtë vendit për shërim. Ky ka qenë një keqtrajtim sistematik i qytetarëve të Kosovës, unë do të luftoj në Kuvendin e Kosovës që kjo padrejtësi të largohet një herë e përgjithmonë që parregullsitë në këtë sektor të rregullohen që ma fia farmaceutike mos ta dominoj shtetin tonë, por të ja lehtësojmë qytetarëve furnizimin e rregull me barna esenciale”, tha Hoxha.

Kurse cilësore në shkenca kompjuterike dhe gjuhë të huaja, integrimi në shkolla dhe pa pagesë është prioriteti i tretë për kandidatin për deputet Ylli Hoxha.

E angazhimi i tij i parë nëse vetëm merr ulësen në Kuvendin e Kosovës do të jetë kalimi i ligjit për Prishtinën, ku ai tha se padrejtësisht Prishtina ka mbetur pa ligj ku si pasojë e kësaj ka humbur 6 milionë euro investime kapitale dhe shumë shërbime të tjera të cilat do të ja mundësonte ky ligj Prishtinës.

“Mendoj që një prej angazhimeve të mia të shpejta do të jetë Ligji për Prishtinën, padrejtësisht Prishtina është lënë pa ligj. Ligji është kategori kushtetuese e përcaktuar me Kushtetutë, është e drejtë e qytetarëve të Kosovës, për shkak se është luftuar Prishtina sistematikisht në 17 vitet e fundit ne kemi mbetur pa këtë ligj dhe rrjedhimisht kemi mbetur pa 6 milion investime kapitale të cilat do të duhej ti kishim, pa shumë shërbime të cilat i mundëson ky ligj. Një prej angazhimeve të mia të para intensive lobuese do të jetë kalimi i ligjit për Prishtinën dhe mundësimi i një përparimi të zhvillimit më të madh në kryeqendër. Natyrisht, do të jem përfaqësues i atij zëri qytetar, i cili ka për synim largimin e padrejtësive, largimin e korrupsionit, krimit në këtë shoqëri sepse pa u larguar, pa u pastruar sistemi jonë nga krimi i organizuar, nga korrupsioni, nga padrejtësitë nuk kemi shansat me përparua në asnjë sektor”, tha ai.

Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet Ylli Hoxha ka numrin 50. /kp