Aktuale

Hoxhaj: Duhet ta rishikojmë dialogun me Serbinë

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka dalë në një konferencë për media një ditë pasi që një gjykatë franceze ka vendosur që lideri i AAK-së Ramush Haradinaj të qëndrojë ende në arrest.

Hoxhaj bëri të ditur  se të mërkurën është njoftuar për ndalimin e Haradinajt nga policia franceze ndërsa tha se ka biseduar edhe vet me telefon me Haradinajn.

“Kemi bërë kërkesë për lirimin e Haradinajt ku dëshmohet pafajësia e tij, e cila është  dëshmuar edhe në tribunalin e hagës. Gjatë ditës së djeshme dhe pardje kam pasur numër të madh telefonatash me autoritetet franceze dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Francës ku e kam informuar në detaje se arrestimet e tilla nga Serbia janë të motivuara politikisht dhe s’kanë bazë ligjore. Kam kërkuar në emër të Qeverisë të ndërmarrë çdo gjë që Haradinaj të lirohet”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj po ashtu tha s eka bërë kërkesë për vizitë zyrtare në Francë ta takojë ministrin që të informoj në detaje personalisht për ndjeshmërinë e rastit që mund ta lëndoj ndjenjën e çdo qytetari.

Hoxhaj më tej tha se logjika e Millosheviqit është e pranishme në Beograd dhe se nuk do të dorëzohen para një logjike të tillë.

Ministri i Punëve të Jashtme ka treguar edhe për ndalimin e presidentit serb Tomisllav Nikoliq që të hyjë në Kosovë.

Hoxhaj tha po ashtu se duhet të ketë rishikim të raportit me Serbinë dhe rishikim të dialogut.

“Përtej dialogut ne duhet ta kemi një politikë të plotë se si i qasemi Serbisë dhe do të bëjmë përpjekje që të parandalojmë goditje nga Serbia në raport me Kosovën. Serbia po e keqpërdor Interpolin, po e keqpërdor dialogun dhe situatat e tilla për ne janë të papranueshme”, tha Hoxhaj./KosovaPress/