Aktuale

Hoxhaj kryeson takimin e parë të Këshillit të MSA-së për Kosovën në Bruksel

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, takoi shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolovaj. Pasi i dëshiroi mirëseardhje në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, ministri Hoxhaj e ka informuar për zhvillimet më të fundit në Kosovë si dhe ka theksuar se Bashkimi Evropian është njëri prej partnerëve më strategjikë që ka republika më e re në Evropë.

 

“Gjatë muajit tetor do të mbahet takimi i parë i Këshillit të MSA-së, i cili do të kryesohet nga unë si ministër i Jashtëm dhe e cila do të jetë faza më e rëndësishme e kësaj marrëveshjeje. Biseduam se çfarë duhet të bëjmë që të koordinohemi më mirë për të ardhmen evropiane të Kosovës, por edhe sa i takon procesit të liberalizimit të vizave”, theksoi ministri Hoxhaj.

Kryediplomati Hoxhaj tha se dita e djeshme nuk ka qenë një dështim në Kuvendin e Kosovës, nuk ka qenë një s’mbrapsje dhe nuk ka qenë një dorëzim.

“Ne do ta rikthejmë këtë marrëveshje në Kuvendin e Kosovës kur edhe përfaqësuesit e komunitetit serb do të jenë të pranishëm. Ata janë qytetarë të Kosovës, përfaqësuesit e tyre po ashtu janë qytetarë të Kosovës. Ata nuk duhet që vetëm t’i gëzojnë privilegjet e tyre por kanë edhe përgjegjësi dhe obligime që të mbështesin procese kyçe politike nëpër të cilat po kalon vendi” ka thënë Hoxhaj.

Ministri e informoi shefen e re të BE në Kosovë edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, për pritjet që i ka Republika e Kosovës në një proces të tillë si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në të ardhmen.