Aktuale

Hoxhaj për El Pais: Dialogu me Serbinë, me progres dhe ndërprerje

Mosnjohja zyrtare e Kosovës nga disa vende të BE-së dhe nga disa organizma ndërkombëtarë, i ka dënuar të rinjtë (70 për qind e popullatës janë nën 35 vjeç) me izolim, me mungesë lirie të lëvizjes dhe me disa perspektiva ekonomike të frikshme: rreth 60 për qind e të rinjve janë të papunë, thonë të dhënat zyrtare.

Spanja – në krye të pesë anëtarëve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e ish provincës serbe, është vendi që më së shumti iu shkakton vështirësi kosovarëve për të marrë viza.

Nita Deda, drejtoreshë e “Dokufestit”-një festival ndërkombëtar i dokumentarëve dhe filmave të metrazhit të shkurtër që ka vënë kulturën e Kosovës në ‘hartë’, nuk ka mundur të marrë pjesë në një shfaqje në San Sebastian, ku ishte e ftuar, meqë asaj i është mohuar marrja e vizës për të udhëtuar në Spanjë.

Xhudistja Majlinda Kelmendi, fituese e medaljes së artë në Rio, ku vendi i saj mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, kishte përdorur një pasaportë të Shqipërisë për të marrë pjesë në disa takime që ishin mbajtur në Castelldefells (Barcelonë) pak para se të fillonin Lojërat Olimpike. Majlinda, tashmë heroinë kombëtare, me pasaportën kosovare nuk do të mund të udhëtonte atje, shkruan “El Pais”, transmeton “Zeri.info”.

Studentja Naime Kosumi, një e panjohur, as që mund ta paramendojë se ëndrra e saj do të plotësohet: ta perfeksionojë spanjishten e saj në Salamanka të Spanjës, të cilën e ka mësuar duke shikuar telenovela latine. Këto tre të reja janë viktimë e një anomalie diplomatike: mosnjohjes së Kosovës (me 1,8 milionë banorë) nga ana e disa vendeve dhe organizmave ndërkombëtarë – nga UNESCO e deri te Këshilli i Evropës.

Në Bashkimin Evropian, Spanja i prin kësaj mosnjohjeje, bashkë me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë.

“Greqia, së paku, ka një zyrë në Prishtinë, dhe ne mund të udhëtojmë atje, qoftë për pushime, qoftë për të studiuar”, shpjegon një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili ka studiuar në Selanik.

“Marrëdhëniet diplomatike me Greqinë nuk janë të plota, porse janë të rrjedhshme dhe miqësore…Por, me Spanjën nuk është e mundur”, shton ai.

Nga frika se njohja e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj nga Serbia në vitin 2008, do të mund të ishte një precedent për Katalunjën dhe, edhe pse kontekstet ndërmjet këtyre janë shumë të ndryshme njëra prej tjetrës, Madridi insiston në kundërshtinë ndaj kësaj pavarësie, gjë që është vërtetuar edhe me mohimin e kërkesës për vizë të Dedës dhe Kelmendit.

Ndjenja e izolimit ndërkombëtar dhe e arsyeve gjeopolitike çon te Serbia, e cila, me Rusinë e gjithëfuqishme mbrapa, është pengesa kryesore për t’i çelë udhë ndërkombëtare ish provincës së saj, ku rinia kosovare është e zakonshme të shëtisë vetëm rreth kampusit të universitetit publik në Prishtinë. Saranda dhe Kaltrina-studente të biologjisë, të dyja njëzetvjeçare, mëtojnë t’i vazhdojnë studimet jashtë vendit ose “të punojmë në ndonjë laborator të bio-teknologjisë në Gjermani, por e dimë se nuk mund të dalim prej këtu”, pëshpëritin ato. Vetë Ministri i Jashtëm, akademiku Enver Hoxhaj, zyra e të cilit është e mbushur me grumbuj librash historikë dhe politikë, flet për mundësinë e ndërkombëtarizimit të kurseve verore, në një takim me një grup të vogël të gazetarëve spanjollë të ftuar nga Qeveria e Prishtinës.

“Do të ishte shumë mirë-duhet të bëjmë diçka për të zgjeruar ofertën”, sugjeron ai.

Izolimi diplomatik nuk kufizohet vetëm me kundërshtimin e një vize, ai gjithashtu pamundëson pranimin e ndihmave dhe bursave apo zhvillimin e programeve ndërkufitare të “Erasmus” nëpër rrugët kulturore të Këshillit të Evropës. Dokufesti-festival i dokumentarëve dhe i filmave të metrazhit të shkurtër, që mbahet në qytetin e bukur të Prizrenit që pesëmbëdhjetë vjet, ku më shumë se dyqind filma u shfaqën në edicionin e fundit gjatë gushtit dhe ku u përfshinë rreth shtatëqind vullnetarë, “nuk mund të ketë qasje në fondet evropiane, edhe pse ekzistojnë dy lloje fondesh për këto iniciativa”, shpjegon Nita Deda.

“Ne duhet të konkurrojmë me OJQ për të mbledhur para, sepse Kosova është i vetmi vend i Ballkanit që nuk mund të përfitojë nga programet e Këshillit të Evropës, meqë nuk jemi anëtar i tij…për këtë duhet t’i paguajmë të gjitha me paratë tona, bile edhe qiranë e zyrave tona”, përcjell “Zeri.info”.

Diplomacia sportive

Në këtë situatë anomalie dhe të rrezikshme, posaçërisht për vendin që e zë Kosova në Ballkan-si zonë kalimi e trafikimeve ilegale, ndërsa gjatë viteve të fundit edhe e xhihadistëve, diplomacia e sportit, me gjasë, ka marrë iniciativën e normalizimit. Kosova është anëtare me të drejta të plota e FIFA-s që nga maji i kaluar.

Po ashtu është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, gjë që u demonstrua me debutimin e saj në Lojërat e Rios. Megjithatë, anëtarësimi në UNESCO u kundërshtua para një viti, gjatë një përballje të tensionuar ndërmjet ShBA-së dhe Rusisë.

Prishtina nuk ka kërkuar të anëtarësohet në OKB, shpjegon titullari i Punëve të Jashtme, i cili e identifikon aksin euroatlantik si prioritet thelbësor për diplomacinë e re kosovare.

“Duam të jemi pjesë e komunitetit euroatlantik, aspirojmë të jemi anëtar i BE-së dhe i NATO-s”. BE-ja duket të jetë objektivi numër një: “Jemi një fakt gjeopolitik, jemi Shtet, për çka përshpejtimi i pranimit nëBE është thelbësor. Po ashtu, kjo është e rëndësishme edhe për normalizimin e vendit”.

Megjithatë, për të qenë pjesë e integrimit evropian, Kosova duhet akoma të ndjekë një rrugë të gjatë bashkë me Serbinë, të ashtuquajturin dialogun me Beogradin, të sponsorizuar nga Brukseli që nga vitit 2013, i cili po ecën në mënyrë të çrregullt-me progres, por edhe me përçarje.

Mospajtimi i fundit ka qenë privatizimi nga Kuvendi i Prishtinës i kompleksit të minierave të Trepçës në veri të Kosovës-një zonë me shumicë serbe, e cila është konsideruar si pasus belli nga ana e Beogradit.