Aktuale

Hoxhaj pyetet gjerë e gjatë për punën e MPJ-së, thotë se nuk është bërë mjaftueshëm

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj është “bombarduar” me pyetje nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

Në një mbledhje që ka zgjatur dy orë Hoxhaj ishte ftuar që të raportonte për punën e tij si ministër i Punëvë të Jashtme të Kosovës.

Pyetjet më të shpeshta që deputetët i shtruan pyetje ministrit Hoxhaj ishin ato në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë së Kosovës Nehat Thaçi nga policia serbe si dhe aktivitetet e Ministrisë për të penguar emërimin e zyrtarit serb Vuk Jeremiq si sekretar i OKB-së.

Ndërkohë ministri Hoxhaj tha se gjatë këtyre viteve nuk është punuar sa duhet, duke potencuar faktin se asnjëherë nuk e kishte menduar se në vitin  2016,  Kosova do të jetë jashtë OKB-së.

“Mendoj që jo, ne mund të punojmë edhe më shumë, mund të punojmë edhe më mirë por unë e kam një shqetësim më shumë edhe individual, unë  nuk kam menduar asnjëherë se në vitin 2016 ne do të jemi jashtë OKB-së…sikurse nuk kam menduar që në 2016 mund të kem një situatë ku nuk kemi asnjë njohje të plot evropiane i cili është një shqetësim për neve si ministri e punëve të Jashtme. Në këtë drejtim shteti i Kosovës është në një pozitë më të favorshme ndërkombëtarë se sa që ka qenë 2008 meqë kemi shumë njohje shumë anëtarësime… a e kemi situatën e favorshme absolut jo, dhe ky është shqetësim i imi”, tha Hoxhaj.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi,  ka pyetur Hoxhën se a është i mjaftueshëm reagimi i tyre si institucion për arrestimin e Nehat Thaçit, duke thënë se a ka diçka serioze se nëse Serbia vazhdon kështu të ndërpritet edhe dialogu Kosovë-Serbi,.

“Drejtori i Policisë Nehat Thaçi po mbahet si një rob lufte në Serbi, ndërkohë që në Republikën e Kosovës nuk ka pas ose ka pas fare pak reagime, ju  na thatë që vazhdimisht jeni angazhuar dhe ky angazhimi intensiv nënkuptoj një takim me kryeministrin dhe një takim me zëvendësministrin e Drejtësisë gjë që është komplet e pamjaftueshme. Ndoshta për juve është intensive por për Nehat Thaçin dhe familjen e tij dhe në përgjithësi për Kosovën është tepër pak… A ka diçka serioze, një qëndrim serioz që ky dialog do të ndërpritet deri sa nuk kemi reprocitet, apo këto janë shanset e reja për Serbinë që me vazhdu me arrestimet”, ka pyetur Kadaj-Bujupi.

Hoxhaj tha se ka reaguar për Nehat Thaçin në mënyrë intensive, por ka shtuar se nuk praktikohet që të dilet me deklarata nxitëse për Serbinë, ndërkohë që theksoi se ka ftuar të gjitha kryeqytetet perëndimore për t’i bërë presion Serbisë. Madje ai shtoi se veprimet duhet të jenë më të mëdha karshi gjuhës së jashtme.

Hoxhaj është pyetur edhe në lidhje me një shkresë të 32 punëtorëve të MPJ të cilët janë ankuar në lidhje me lëvizjet e stafi diplomatik nga ana e MPJ-së.

Për këtë Hoxhaj tha se do të bëjë që ata që kanë qenë me mandat dy vjeçar me mision jashtë vendit të kthehen në Kosovë, dhe anasjelltas.

“Ekziston një përshtypje e stafit diplomatik që asnjëri nga ta nuk dëshiron të kthehet në Kosovë dhe të shërbejnë në Ministri, secili dëshiron të shërbejë jashtë. Ne jemi si një lloj ushtrie kemi misione jashtë, por edhe brenda. Një pjesë e madhe që kanë nënshkruar këtë letër kanë qenë në misione të caktuara, është dashur me kthy dhe janë kthy. Çdo vend në botë i ka dy mandate jashtë një brenda dhe unë ju siguroj juve që kam ndërmend me i kthy ata që i kanë bërë dy mandat jashtë një brenda, dhe ata që nuk janë shku me i dërgu jashtë”, tha Hoxhaj.

Deputetja Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosja, e ka pyetur ministrin Hoxhaj nëse do ta arrestojë të ashtuquajturin shef i Zyrës për Kosovën,  Marko Gjuriqin në rast se hyn në territorin e Kosovës.

Megjithatë Hoxhaj tha se i përket ndalesës ose jo të Gjuriqit, ministria e tij nuk është kompetente.

Ndërsa çështja tjetër e ngritur nga Haxhiu, për fushatë të Serbisë për anëtarësim në UNESCO, Hoxhaj ka thënë se janë të pa pranueshme e sidomos sjellja  e ministrave të cilët janë pjesë e Qeverisë të Kosovës,  të cilët për dy javë pretendojnë që kinse po pastrojnë Kishën Ortodokse, e që në fakt janë pjesë e fushatës së Serbisë që të pamundësojnë aplikimin e Kosovës në UNESCO.

“Për mua si anëtar i Qeverise janë të papranueshme sjellja e ministrave të cilët janë pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe të cilët çdo dy javë pretendojnë që  e pastrojnë Kishën Ortodokse në Kampusit Universitar ku janë më shumë pjesë e fushatës së Serbisë sesa janë të interesuar që ta mbrojnë atë monument në atë gjendje që është dhe këtë shqetësim e kam ngrit brenda përbrenda Qeverisë. Kjo bëhet me agjendën përfundimtare, që ta pamundësojnë aplikimin e Kosovës në UNESCO dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që në të ardhmen mund të jenë edhe më egërsi”, tha Hoxhaj.

Gjithashtu ministrit Hoxhaj i është kërkuar edhe raportimi për ambasadorët. Ndërsa deputetja Blerta Deliu-Kodra ka ironizuar me pyetjen që i ka bërë Hoxhajt duke e pyetur nëse në pesë vitet e ardhshme do të ketë luftë në Ballkan.

“E përmendet hapjen e diplomacive të reja të cilat pritet të jenë shtetet të ndryshme, a do të ketë hapje të përfaqësimeve diplomatike në Azi dhe Afrikë dhe një temë e cila është jashtëzakonisht duke u trajtuar, që në pesë vitet e ardhshme pritet të ketë një luftë të re në Ballkan’, ka pyetur Deliu-Kodra.

Hoxhaj tha se në të ardhmen do të bëhet një ambasadë në Afrikë dhe një tjetër në Azinë Juglindore. E sa i përket luftës në Ballkan ai tha se është jashtë mandatit të tij të flas për këtë./KP