Sport

Humb Haxhi Krasniqi përball Abrahamit

Ka përfunduar me humbje takimi i boksierit nga Juniku, Haxhi Krasniqi, i njohur si Robin Krasniqi përball ish-kampionin e botës, Arthur Abraham, i njohur si King Abraham, që u zhvillua sonte në Erfurt të Gjermanisë.

Në rundet e para i dominoi kryesisht Krasniqi, por nga rundi i 6-të u pa përvoja e Abrahamit, i cili me mjaft mjeshtëri arrinte të pozicionohej në vende të duhura, të merrte fuqi nga “pushimet” dhe sulmonte Krasniqin. Kurse Krasniqi bëri një luftë të hapur, duke u mundur të sulmojë në çdo moment.

Krasniqi u ngjit në ring me tingujt e këngës “Jemi një”, ku në sall për ta përcjellë këtë takim ishin rreth 12 mijë shikues.

Takimi u zhvillua në 12 runde dhe ishte eliminator për titull të botës në kategorinë super të mesme në versionin WBO.

Krasniqi sonte kërkonte fitoren e 47-të në karrierë. Nga të gjitha fitoret, 17 i ka me nokaut, ndërsa tani ka 5 humbjeve.

Dueli mes Krasniqit dhe Abrahamit para ndeshjes është vlerësuar i barabartë, pasi Krasniqi është më i ri dhe ka më shumë energji për duel, kurse armeni Abraham është më i moshuar por ka përvojë më të madhe në ring, transmeton KosovaPress.