Aktuale

Hyseni : Është bërë progres sa i përket zbatimit të MSA-së, por ka dhe masa të pazbatuara

Ministri për Punë të Brendshme, Skënder Hyseni ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, lidhur me zbatimin e marrëveshjes dhe progresit të arritur, sa i përket zbatimit të masave, që lidhen me zbatimin e MSA-së, e të cilat bien në fushëveprimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri Hyseni tha se është arritur progres në këtë fushë,  por ka dhe masa të pa zbatuara.

 

“ Trajtuam progresin që MPB ka bërë në zbatimin e masave,  për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga fushëveprimi i vet. Ishte konstatim i përbashkët,  që është bërë progres në këtë fushë të MPB, por në të njëjtën kohë u konstatua se ka edhe masa të pazbatuara,  që serish në masën më të madhe lidhen me veprime nder sektoriale,  ose kushtëzohen nga progresi në fushën e legjislacionit. Por që ta përmbyll që ta rrumbullakoj me një fjalë, ishte një bashkëbisedim i mirë. Një shqyrtim shterues i asaj se ku gjendemi në fushën e zbatimit të masave që dalin nga MSA, e që bien në fushën e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Hyseni.

Sikurse edhe herave tjera, raportimet e ministrave në Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim po mbahen me dyer të mbyllura.

Edhe sot ministri Skënder Hyseni raportoi me dyer të mbyllura ndonëse ka pasur reagime edhe nga opozita dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. /KP